Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 14:16

Tiranë – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka mbyllur takimin e tij elektoral për zgjedhjet vendore të 8 majit në Çorovodë.

Meta mbështeti edhe një herë kandidatin Nesim Spahiu që, sipas tij, pas fitores së thellë më 8 maj do të fillojë pa u gdhirë mirë më 9 maj punën për të realizuar të gjitha premtimet dhe projektet që ai dhe “Aleanca për Qytetarin” kanë premtuar për qytetin.

“Nesim Spahiu ka të gjithë mbështetjen tonë, ka mbështetjen e të gjithë koalicionit, ka mbështetjen e qeverisë, do të ketë mbështetjen e të gjithë donatorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mënyrë që Çorovoda brenda këtij mandati të jetë një qytet i kërkuar nga vizitorët dhe turistët, të jetë një qytet ku të rinjtë të kenë besim se të ardhmen e tyre mund ta ndërtojnë pikërisht këtu”, tha Meta.

Kryetari i LSI-së u shpreh gjithashtu se koalicioni i djathtë, ku ai bën pjesë, është koalicioni që në kohë rekord sipas premtimit që ne dhamë realizoi liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.

“Ndaj kjo aleancë kaq e gjerë, kaq gjithëpërfshirëse quhet “Aleanca për Qytetarin” dhe është e vendosur të fitojë më 8 maj në Tiranë, në Çorovodë, në Gjirokastër, në Përmet, në Poliçan, në Berat dhe në shumicën dërrmuese të qyteteve dhe komunave të vendit tonë, sepse më 8 maj qytetarët e Çorovodës dhe qytetarët e çdo bashkie dhe komune padyshim që e kanë vendosur se do të zgjedhin rrugën e integrimit evropian.” tha Meta.