Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 12:54

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur edhe sot, mes debatesh, procedurën e numërimit të fletëve të kontestuara, të cilat janë hedhur në kutitë e gabuara, për kryetarin e bashkisë së Tiranës.

Në fillim të mbledhjes, përfaqësuesit ligjorë të PS-së deklaruan se ka ndërhyrje në kutitë me fletët e kontestuara, ku shpeshherë ka pasur ndërrim të kodeve dhe janë gjendur fletë të tjera votimi në to.

Por kryetari i KQZ-së Arben Ristani ka theksuar se “kutitë kanë ardhur të rregullta nga KZAZ-të, duke pasur edhe kodet e sigurisë dhe janë mbajtur edhe procesverbale për to”.

KQZ ka verifikuar fletët e kontestuara në kutinë me numër 18 67 nga KZAZ-ja 50, njësia nr.6, ku kanë rezultuar 9 vota për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha dhe 1 votë për kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama.

Pas numërimit të fletëve të kontestuara në këtë kuti rezulton se në total, votat shtesë për kandidatin Basha, në 55 kuti të numëruara, deri tani janë 89, ndërsa për kandidatin e opozitës, Edi Rama, 32. Këto vota, të hedhura në kutitë e gabuara, i shtohen rezultatit të garës për kryeqytetin.

Ndërsa, brenda ambienteve të KQZ-së vijon numërimi i fletëve të hedhura në kutitë e gabuara, jashtë selisë së këtij institucioni mbështetës dhe deputetët e PS-së protestojnë kundër vendimmarrjes, sipas tyre të “paligjshme”, të Komisionit Zgjedhor.