Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 19:19

Tiranë – Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) përshëndeti të martën raportin e OSBE/ODIHR për procesin zgjedhor, ndërsa vlerësoi rolin vëzhgues të këtij misioni, si faktor i rëndësishëm për zgjedhjet në Shqipëri.

Në një deklaratë për shtyp anëtarja e kryesisë e LSI-së, Nora Malaj, tha se kjo parti është kundër të gjitha provokimeve dhe tensioneve të papërgjegjshme, që bien në kundërshtim të hapur me frymën e raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet lokale.

“Thirrjet kundër KQZ-së, si dhe apeli për qytetarët “që të shkojnë të mbrojnë votat e tyre, është një akt i padenjë, që nuk lidhet me institucionet demokratike, pasojë e të cilit është provokimi i tensionit dhe konflikti mes qytetarëve”, deklaroi Malaj.

LSI, vijoi ajo, fton KQZ-në të vazhdojë të kryejë me korrektesë detyrën ligjore dhe ju kërkon qytetarëve të mos bëhen palë apo pjesë e atyre që në tension e sipër, duan të krijojnë pseudokonflikte.