Lajme Shqip Sunday, 22 May 2011 14:21

Tiranë – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, dega Tiranë, Shezai Rrokaj, u shpreh të dielën, gjatë një konference për shtyp, se numri i zgjedhësve që më 8 maj votuan këtë forcë politike në kryeqytet është 70% më i lartë se në vitin 2009.

“Më 8 maj Lëvizja Socialiste për Integrim arriti një fitore spektakolare, plot 20.814 votues për këshillin e bashkisë së Tiranës dhe 23.012 për këshillat e minibashkive”, tha Rrokaj, i cili shtoi se në këshillin bashkiak të Tiranës LSI do te ketë 5 përfaqësues, ndërsa rreth 35 këshilltarë të kësaj force do të jenë anëtarë në këshillat e minibashkive, ku më shumë se 12 prej tyre janë femra.

LSI fitoi 2 minibashki nga 11 të tilla në kryeqytet, minibashkinë nr.2, me kryetar Elez Gjozën, dhe nr.3 me kryetar Ilir Kokonën. Në këtë kuadër, Rrokaj vuri në dukje se dega e LSI në Tiranë dha një kontribut të vyer jo vetëm për fitoren e 2 minibashkive, por edhe për fitoren e 7 minibashkive gjithsej në Tiranë, nga koalicioni “Aleanca për Qytetarin”.

“Vota e sovranit vetëm duhet të jetësohet nëpërmjet certifikimit, ndaj i inkurajojmë të gjitha institucionet, që të kryejnë detyrën e tyre kushtetuese për të ligjëruar sa më shpejt këtë vullnet të sovranit”, tha Rrokaj.