Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 08:05

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të diskutojë të mërkurën pasdite p/vendimin “Për miratimin e prodhimit dhe sasisë së vulave rezervë për qendrat e votimit, për zgjedhjet  vendore të 8 Majit”.

P/vendimi parashikon që sasia e vulave rezervë që do të prodhohen për qendrat e votimit të jetë e barabartë me numrin e tyre në të gjithë vendin, ku numërohen 4865 të tilla, për të 12 qarqet e vendit.

Sipas KQZ-së, vulat rezervë do të administrohen nga zyrat rajonale të KQZ-së. Zëvendësimi i mundshëm i tyre në komisionet e qendrave të votimit me vulën rezervë të qendrës së votimit do të bëhet vetëm me vendim të KQZ-së rast pas rasti.

Relacioni shoqërues i aktit thekson se nevoja për një vendim të tillë vjen pas eksperiencave të shfaqura në proceset e kaluara zgjedhore, ku KQZ, e gjendur para faktit të dëmtimit apo të humbjes së vulave të komisioneve të qendrave të votimit, kryesisht si pasojë e largimit të komisionerëve nga detyra, ka qënë e detyruar që brenda një kohe shumë të shkurtër të bëjë zëvendësimin e këtyre vulave në mënyrë që të sigurojë vazhdimin e procesit të votimit në QV.

Një tjetër arësye që e shtyn KQZ-në të marrë një vendim të tillë është dhe kostoja e lartë që kërkon  transportimi i vulës në QV ku ka pasur probleme, ku në zgjedhjet e fundit është përdorur helikopter për këtë qëllim.

“Duke qënë se një vendim i tillë ka kosto kohore dhe financiare shumë të madhe, kjo si për arësye të transportit të përdorur, por edhe për të shmangur bllokimin e procesit të votimit në qendrat e votimit ku mund të ndodhë fenomeni i mungesës së njërës prej vulave, është menduar që të prodhohet paraprakisht vula rezervë për çdo qendër votimit, të cilat do të administrohen nga zyrat rajonale të KQZ-së dhe do të përdoren vetëm me vendim të KQZ-së rast pas rasti”, thuhet në relacionin e p/vendimit të mësipërm.