Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 11:14

Tiranë – Tensionet kanë përfshirë atmosferën politike në Shqipëri. Në hapësirën para ndërtesës së KQZ-së në Tiranë, forca të mëdha të policisë e kanë rrethuar ndërtesën. Deputetët socialistë dhe mijëra simpatizantë të kësaj partie po protestojnë kundër projekt aktit për fletët e kontestuara të votimit, të miratuar nga KQZ.

Ndërkohë, KQZ sapo rrëzoi me katër vota “pro”, kërkesën e përfaqësuesit ligjor të PS-së në Komisionin Zgjedhor për praninë e deputetëve socialistë në mbledhjen e sotme, ku do shqyrtohet pr/akti për fletët e kontestuara të votimit për kryetarin e bashkisë së Tiranës.

Në përgjigje të kësaj kërkese, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani tha se mbledhja është publike, në prani të kamerave.

“Nuk mund të pranojmë deputetë, pasi funksionojmë si KZAZ e Tiranës. Neni 121 i kodit zgjedhor parashikon se kush duhet të jetë i pranishëm në ambjentet e KQZ-së. Përveç kësaj, nisur dhe nga situata dhe sjellja e djeshme kur institucioni u pushtua në mënyrë të padrejtë, kërkesa nuk mund të pranohet”, tha Ristani.

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi kërkoi mbrojtjen e shtetit, pasi sikurse u shpreh “ndihemi të kërcënuar nga prania e forcave policore që kanë rrethuar selinë e Komisionit”.

Pas hedhjes në votim, kërkesa u rrëzua me shumicë votash nga maxhoranca e komisionit zgjedhor.

Jashtë sallës së mbledhjeve vazhdojnë tensionet nga prezenca e deputetëve socialistë dhe simpatizantëve të PS-së, që qëndrojnë përreth selisë së këtij institucioni.