Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 11:23

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot me votë unanime që të shkarkojë nga detyra anëtarët e grupeve të numërimit të propozuar nga Partia Socialiste në KZAZ-në nr 54, në njësinë bashkiake nr 10 në Tiranë, të cilët kanë bllokuar procesin e numërimit të votave.

Duke e konsideruar këtë bllokim si një shkelje të rëndë ligjore, 6 anëtarët e KQZ-së votuan për shkarkimin e tyre, ndërkohë që i lanë afat Partisë Socialiste deri në orën 12:30, për të propozuar emrat e rinj për anëtar të grupeve të numërimit në këtë KZAZ.

Gjithashtu, KQZ urdhëroi që në këtë KZAZ të nisë menjëherë procesi i numërimit të votave me anëtarët në detyrë të grupeve të numërimit.

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, vuri në dukje se në KZAZ-në nr. 54 që është vendosur në ambientet e shkollës “Avni Rustemi” në kryeqytet, fletët e votimit janë mbi tavolinat e numërimit, ndërsa anëtarët e grupeve të numërimit janë larguar. Sipas raportimeve, procesi i numërimit në këtë KZAZ është pezulluar që në orën 03:00, të mëngjesit të ditës së sotme.

Edhe nënkryetarja e KQZ-së, Deshira Subashi, e cilësoi këtë një akt të rëndë dhe kërkoi që KQZ të jetë korrekt në zbatimin e Kodit Zgjedhor duke shkarkuar dhe zëvendësuar këta komisionerë.