Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 06:02

Tiranë – Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Arben Ristani, deklaroi të premten se KQZ do të reagojë me forcë ndaj çdo veprimi të paligjshëm që mund të ndodhë gjatë votimit apo numërimit të votave, ditën e zgjedhjeve vendore më 8 maj.

Dy ditë para votimeve për pushtetin lokal, kreu i KQZ-së në mbledhjen e djeshme, konfirmoi vendosmërinë e institucionit që administron zgjedhjet, se do të marrë të gjitha masat për t’iu përgjigjur akteve të mundshme të shkeljes së ligjit. “Për këtë qëllim Komisioni do të shikojë mundësinë e hartimit të një akti të posaçëm”, tha Ristani.

Ai theksoi gjithashtu angazhimin e KQZ-së për trajnimin e komisionerëve të qendrave të votimit, ndërsa vuri në dukje komunikimin me përfaqësuesit e forcave politike për mbarëvajtjen e procesit.

“KQZ ka kryer trajnime më vete për komisionerët e të dyja palëve, pasi ata nuk janë bërë bashkë. KQZ është e angazhuar dhe komunikon me forcat politike në funksion të organizimit sa më mirë të procesit dhe sidomos të trajnimit të komisionerëve”, u shpreh Ristani.