Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 09:34

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përfundoi të dielën në mbrëmje numërimin e fletëvotimeve të kontestuara, të hedhura në kutitë e gabuara për zgjedhjet për kryetar bashkie në Tiranë.

Gjatë ditës së dielë KQZ hapi 30 kutitë e fundit, që i përkisnin KZAZ-së 49, njësia nr.5, ndërkohë që numri në total i kutive me fletë të kontestuara për të 11 njësitë vendore të Tiranës ishte 125. Pas hapjes së tyre, përgjatë pesë ditëve, u gjendën 171 vota të vlefshme për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha dhe 83 vota për kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama, me një diferencë prej 88 votash në favor të kandidatit demokrat.

Në përfundim të këtij procesi kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha për mediat se tashmë këtij institucioni nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shpallë rezultatin përfundimtar për Bashkinë e Tiranës.

“Nesër (sot) do të miratojmë në tërësi vendimin pasi ishte miratuar vetëm nen për nen. Më pas do të kalojmë në miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për KZAZ-në nr.49, që i përket njësisë bashkiake nr.5 dhe veprimi i tretë që do të ndërmarrë KQZ-ja do të jetë miratimi i rezultatit përfundimtar, pra miratimin e tabelave për të 11 KZAZ-të e Tiranës. Këto nuk janë akte normative, por vendime të KQZ. Janë vendime që sipas ligjit kërkojnë shumicën e thjeshtë, që është 7 ose 4”, u shpreh Ristani.