Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 11:47

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të mblidhet të hënën në mesditë (ora 12: 00), për miratimin e tabelave të rezultateve për bashkinë e Tiranës, si dhe për vendimin për rivlerësimin dhe tabulimin e votave të gjendura në kutitë e gabuara.

Sipas burimeve zyrtare nga KQZ, në përfundim të procesit të numërimit të fletëve të kontestuara, KQZ pritet të miratojë, sot, në tërësi aktin për vlerësimin e votës së panumëruar, të hedhur në kutinë e gabuar, në disa qendra votimi të zonës zgjedhore Bashkia të Tiranës.

Rezultatin e këtij procesi, KQZ do ta reflektojë në tabelat përkatëse të grupeve të numërimit dhe në tabelat përmbledhëse të 11 KZAZ-ve të Tiranës, si edhe do të vijojë punën me miratimin e tabelës përmbledhëse të zonës së administrimit zgjedhor nr. 49, njësia zgjedhore nr.5.

Me përfundimin e miratimit të tabelave përmbledhëse për të gjitha KZAZ-të e Tiranës, KQZ do të plotësojë në mbështetje të nenit 123 të Kodit Zgjedhor, tabelën përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore, Bashkia e Tiranës.

Përgjatë pesë ditëve (17-22 maj), KQZ numëroi 125 kuti, ku gjendeshin fletët e kontestuara, ku rezultuan 171 vota për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Bashën dhe 83 vota për kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama, me një diferencë prej 88 votash në favor të kandidatit të maxhorancës.