Lajme Shqip Sunday, 22 May 2011 16:50

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rinisur të dielën pasdite procesin e numërimit të fletëvotimeve të hedhura në kuti të gabuara nga zgjedhësit gjatë procesit të votimit të 8 majit, në bashkinë e Tiranës. Fletëvotimet, që po vlerësohen aktualisht nga KQZ, i përkasin KZAZ-së nr. 49, njësia bashkiake 5.

Para nisjes së këtij procesi, Komisioni u përfshi nga debatet, pasi përfaqësuesit e opozitës, sërish e kundërshtuan numërimin e fletëve të kontestuara, si një veprimtari e paligjshme që nuk parashikohet në kodin zgjedhor.

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi kërkoi sqarime nga kryetari i Komisionit për kohëzgjatjen e kësaj procedure, ndërsa siç tha ajo numri i kutive për numërim të sjella në ambientet e KQZ-së po shtohet nga dita në ditë.

“Sot në mëngjes u deklarua se janë edhe 8 kuti të fundit për t’u numëruar, ndërsa tani na thuhet se janë edhe 30 të tjera”, tha Subashi.

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani mbrojti ligjshmërinë e numërimit të këtyre fletëve, që sipas tij është aplikuar edhe në zgjedhjet e kaluara, duke iu referua edhe rekomandimeve të raportit të OSBE/ODIHR të 2009-s. Ai përsëriti se KQZ ka vendosur që të këqyrë të gjitha kutitë e votimit dhe të numërojë votat e panumëruara për kryetar bashkie, këshilli bashkiak, kryetar njësie bashkiake, vota të cilat kanë mbetur të panumëruara.

“KQZ, si niveli më i lartë i administratës zgjedhore, ka të gjitha kompetencat ligjore për të përmbyllur procese të tilla, duke marrë dhe kompetencat e komisioneve të niveleve më të ulëta të administratës zgjedhore, dhe shembuj të tillë kemi pasur me bollëk gjatë historisë së zgjedhjeve, si në vitin 2001, 2003 2007. Pra, ka qenë një rrjedhë logjike”, shpjegoi Ristani.

Kryetari Ristani njoftoi mbledhjen e sotme, se, ndërsa deri dje në mbrëmje ishin edhe 8 kuti të panumëruara, sot paradite kanë ardhur edhe 30 kuti të tjera nga njësia nr. 5, që përmbajnë fletë të kontestuara dhe që presin të vlerësohen.

Gjatë të shtunës në mbrëmje, KQZ hapi 14 kuti me fletë të kontestuara nga 22 në total, që i përkisnin KZAZ-së nr.49. Kjo e çon në 104 numrin e kutive të hapura deri tani nga KQZ, ku në total janë gjetur 164 vota të vlefshme në favor të Lulzim Bashës, kandidat i i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” dhe 74 vota në favor të Edi Ramës, kandidat i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”.

Në fillim të mbledhjes së sotme, të nisur rreth orës 10:00, KQZ rrëzoi me 7 vota, dy kërkesa ankimore të ardhura nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që kontestonte numërimin e votave për këshillin bashkiak të Gjirokastrës, si dhe kërkesën ankimore të kandidatit të pavarur për komunën Rukaj, Qarku Dibër. Të dyja ankesat u hodhën poshtë me të njëjtin argument, si të pabazuara në prova dhe në ligj.