Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 16:56

Tiranë – Komisioni Qendror Zgjedhjeve miratoi sot disa vendime që përcaktojnë vendet e numurimit të votave (VNV) në disa zona të administrimit zgjedhor (ZAZ) në qarkun e Tiranës dhe në disa qarqe të tjera, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 8 majit.

Në mbështetje të Kodit Zgjedhor, jo më vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve, prefekti i qarku i paraqet KQZ-së listën e plotë të territoreve dhe objekteve brenda territorit të qarkut, që përmbushin kushtet e përcaktuara në dispozitat e ligjit zgjedhor, për procesin e numurimit të votave.

Në këtë kuadër, KQZ caktoi sot VNV-të në disa zona të administrimit zgjedhor në kryeqytet, si në ZAZ-në nr. 45 ku numurimi i votave do të bëhet në palestrën e shkollës “Kushtrimi i Lirisë”; në ZAZ nr. 46 VNV-ja do të jetë në palestrën e Korpusit Universitar, ZAZ nr. 47 Tirane do të ketë VNV-në e saj në palestrën e shkollës “Hasan Prishtina”, ZAZ nr. 48 palestrën e shkollës “Bajram Curri”, etj.

KQZ, gjithshtu sot caktoi disa VNV në ZAZ-të e qarkut Shkodër, të qarkut Lezhë, qarkut Durrës etj.

Procesi zgjedhor i 8 majit do të administrohet nga 66 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor, ndërkohë që numurimi i votave do të kryhet në 66 VNV-të përkatëse.

Sipas Kodit Zgjedhor, VNV-të caktohen kryesisht në ambjente të palestrave sportive, që kanë përmasa të mëdha. Ato vihen në dispozicion të Komisioneve Zonalë të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) jo më vonë se dhjetë ditë para datës së zgjedhjeve. KZAZ, nga ana e saj, jo më vonë se 5 ditë para datës së zgjedhjeve, fton për njohje të vendit të numërimit të votave subjektet zgjedhore dhe anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit (KQZ).

Në përzgjedhjen e vendit, KQZ-ja duhet të marrë parasysh edhe mundësinë për aplikimin e teknologjisë mbështetëse për numërimin e votave.