Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 15:06

Tiranë – Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit miratoi sot kërkesën e Partisë Socialiste për të ndryshuar fletën e votimit për kandidat për kryetar të Bashkisë Tiranë, në zgjedhjet vendore të 8 majit, duke rrëzuar kështu vendimin nr. 282 të KQZ-së.

Në argumentin e tij përpara kolegjit zgjedhor, avokati përfaqësues i PS-së, tha se vendimi i marrë për miratimin e fletës së votimit, është një akt normativ dhe duke qenë i tillë nuk mund të miratohet me 4 vota, por duhen 5.

Ndërsa përfaqësuesja e KQZ, hodhi poshtë kërkesën e PS-së, duke sqaruar se nuk përbën një akt normativ, por një akt administrativ.

Pasi janë dëgjuar të dy palët, Kolegji Zgjedhor vendosi të pranojë kërkesën e PS-së, duke vendosur ndryshimin e fletës së votimit, që ka të bëjë me formën, madhësinë e vendosjes së emrave të subjekteve politike, por edhe me ngjyrat.

Ankimimi i PS-së në Kolegjin Zgjedhor kërkonte anulimin e vendimit të marrë nga KQZ, pasi  ai “ishte marrë jo me shumicë të cilësuar, siç e përcakton kodi zgjedhor, por me 4 votat e përfaqësuesve të maxhorancës në KQZ”.

Në kërkesën e saj drejtuar Kolegjit Zgjedhor, gjithshtu PS ankohet se fleta e votimit ishte e tillë që pranë emrit të kandidatit socialist do të shkruhet vetëm emri i koalicionit “Aleanca për të ardhmen” dhe shkronja nistore e tij “AA”. Ndërsa pranë emrit të kandidatit demokrat Lulzim Basha është shkruar emri i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” dhe pranë tij sigla e të gjitha partive që janë në koalicion me Partinë Demokratike.