Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 11:03

Tiranë – Parlamentit Evropian u bën thirrje të gjitha palëve në Shqipëri që të veprojnë me përgjegjësi dhe të bëjnë të mundur që pas zgjedhjeve, të rifillojë puna për reformat demokratike.

Zyra e shtypit e qëndrës së informimit të BE-së në Tiranë bëri të ditur se një delegacion i përbërë nga katër deputetë të Parlamentit Evropian, i kryesuar nga Eduard Kukan (EPP-Grupi i Partive Popullore Evropiane, Sllovaki), ku bënin pjesë edhe Jutta Steinruck (S&D, Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, Gjermani), Georgios Koumoutsakos (EPP-Grupi i Partive Popullore Evropiane, Greqi) dhe Michail Tremopoulos (Greens/EFA-Grupi i të Gjelbërve, Aleanca e Lirë Evropiane, Greqi), erdhën në Shqipëri me rastin e zgjedhjeve vendore, me qëllim, vlerësimin e situatës politike në vend në ditën e zgjedhjeve.

Në deklaratën për mediat thuhet se delegacioni i PE-së krijoi përshtypjen se ndërsa votimi u krye në mënyrë të rregullt dhe të qetë, ndërsa nënvizojnë faktin se një sërë rekomandimesh, veçanërisht ato të nënvizuara nga misioni i vëzhguesve të OSBE/ODHIR-it, do të përmirësonin më tej integritetin e procesit zgjedhor.

Deputetët vunë re se në qendrat e votimit që ata vizituan, procesi ishte në përgjithësi i rregullt dhe i administruar në mënyrë paqësore, praninë e vëzhguesve të partive politike në shumicën e qendrave të votimit dhe mirëpriti praninë e vëzhguesve nga shoqëria civile në disa prej këtyre qëndrave.

Përfaqësuesit e PE-së vunë re votime familjare, vonesa në hapjen e qendrave të votimit dhe konfuzion në kohën e mbylljes së një sërë qendrash votimi. “Radhë shumë të gjata të votuesve u vunë re në shumë prej qendrave të votimit, që u vizituan nga delegacioni. Për më tepër, fakti që numërimi është centralizuar, është vënë në diskutim nga disa prej zonave që u vizituan nga delegacioni”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Deputetët e PE-së u informuan gjithashtu edhe për vonesat në procedurat e numërimit, ndërsa nënvizojnë se “prania e vëzhguesve të komunitetit ndërkombëtar është e nevojshme dhe thelbësore”.

Gjithë bashkëbiseduesit shqiptarë mirëpritën praninë e Parlamentit Evropian dhe e vlerësuan kontributin e këtij delegacioni në monitorimin e zgjedhjeve si mjaft pozitiv.

Deputetët e Parlamentit Evropian krijuan përshtypjen se skena politike mbetet tejet e polarizuar, gjë që reflektohet edhe në faktin se si media e ka pasqyruar procesin zgjedhor.

Ditën e zgjedhjeve, Delegacioni vizitoi mbi 35 qendra votimi në Tiranë, Kavajë, Elbasan, Fier, Himarë, Ilias, Gjilek dhe Vlorë dhe qendrën operative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.