Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 19:45

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha ftoi sot, qytetarët shqiptarë që të votojnë në 8 maj kandidatët e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, duke siguruar se “kjo është votë për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.

Në mbyllje të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit, kryeministri Berisha përshëndeti mitingun e organizuar nga koalicioni “Aleanca për qytetarin” në sheshin “Nënë Tereza’, në kryeqytet.

“Le të firmosim me votën tonë të ardhmen europiane të vendit”, tha Berisha, duke shtuar se “Aleanca për qytetarin” është shtëpia e të gjithë shqiptarëve. Ai ftoi qytetarët që orët që na ndajnë nga data 8 maj, ti shndërrojnë në orë meditimi dhe asnjë të mos mbetet në rrugën e vetmisë.

Duke kërkuar votën e qytetarëve shqiptarë për kandidatët e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Kryeministri Berisha tha se “secili prej nesh ka vetëm një ëndërr, Tiranën dhe Shqipërinë e zhvilluar dhe europiane”.

“Ju mbështetët reformat që e renditën Shqipërinë nga vendi më i varfër i planetit në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Europën dhe Shqipëria është sot një nga destinacionet kryesore turistike në Europë”, tha Berisha.

Kryeministri theksoi se në këtë fushatë, me idetë dhe projektet e tyre qytetarët hartuan projektin e shndërrimit në realitet të ëndrrës europiane. “Në këto 30 ditë fushatë Lulzim Basha ka qenë udhëheqësi më i shkëlqyer që kam njohur në jetën time. Vota në 8 maj për Lulzim Bashën dhe qytetarët e parë të ‘Aleancës për qytetarin’ është votë për infrastrukturën më moderne euriopiane të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, është votë për rrugë, rrugica, trotuare, shkolla dhe kopshte të standardeve më të mira”, tha Berisha.

Ai u shpreh se vota në 8 maj për Lulzim Bashën është votë për të shndërruar qytetet tona në gjeneratorë të mëdhenj të punësimit, zhvillimit dhe prosperitetit, si dhe për të shpalosur para mbarë botës potencialet e kombit.

“Vota në 8 maj për Lulzim Bashën dhe kandidatët e tjerë të koalicionit ‘Aleanca për qytetarin” është votë për të zhvilluar biznesin në të katër anët e vendit, për të ulur taksat, rritur bizneset dhe shndërruar Tiranën dhe qytetet tona në qytete tërheqëse për investitorët vendas dhe të huaj. Kjo është votë për të krijuar dhjetra mijëra vende pune dhe për të sjellë çdo ditë e më shumë begati, zhvillim dhe prosperitet”, tha Berisha.

Kryeministri u ndal edhe te alternativa që ofron koalicioni “Aleanca për qytetarin”, për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa u shpreh se “vota për Lulzim Bashën dhe qytetarët e tjerë të parë të kësaj aleance është vota për të ndërtuar Tiranën e gjelbër, Shqipërinë e gjelbër”.

Kryeministri Berisha ftoi qytetarët shqiptarë që të shndërrojnë 8 majin, Ditën e Europës, në ditën e idealeve të tyre europiane, duke votuar si qytetarë europiane në zgjedhje me standarde europiane.