Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 15:08

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha siguroi të martën se maxhoranca mbetet plotësisht e vendosur të bëjë çdo gjë, që procesi i votimit të kompletohet me transparencën më të madhe dhe çdo votë e qytetarëve shqiptarë të marrë peshën që i takon në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Kryeministri Berisha përshëndeti raportin paraprak të publikuar nga misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore në Shqipëri, i cili i vlerësoi zgjedhjet konkuruese dhe transparente.

Berisha theksoi se të gjithë komisionerët pavarësisht forcës politike që i përkasin janë faktuar si njerëz të ligjit. “Ne presim të publikohen rezultatet zgjedhore nga KQZ dhe të përshëndesim këtë rezultat”, tha Kryeministri, ndërsa shtoi se “raporti me votën është baza e kulturës së çdo politikani”.

“Ky proces duhet të kompletohet me transparencë të plotë. Unë kam besim tek sistemi i shqyrtimit të ankesave, tek KZAZ-të dhe të gjithë komisionerët pa përjashtim, cilësdo force politike që i përkasin. Kam besim tek KQZ-ja, gjykata e me radhë”, tha Berisha.

Kryeministri vuri në dukje se PD ka zgjedhur të mos publikojë rezultate paraprake dhe kjo praktikë është ndjekur edhe në zgjedhjet e vitit 2009. “Ne kemi qendrat tona që përpunojnë të dhënat që i kemi për përdorim të brendshëm, por nuk i lejojmë vetes të parakalojmë institucionet zyrtare, të cilat falë teknologjisë në paraqitjen e të dhënave janë pothuaj në kohë reale”, tha Berisha.

Ai vlerësoi kontributin e medias në paraqitjen me transparencë të procesit zgjedhor dhe e cilësoi median si avokaten e votës së lirë në Shqipëri.

Duke komentuar ecurinë e procesit të numërimit të votave, Berisha tha se “komisionerët tanë kanë porosi të prerë dhe kategorike që të bëjnë maksimumin për ta kompletuar procesin. Ata janë të lodhur dhe nuk mund të qortohen edhe nëse bëjnë ndonjë pushim. Në të ardhmen mund të përcaktohen disa rregulla që lejojnë numërim më të shpejtë, psh të mos ketë më qendra me 50 mijë zgjedhës, por këto janë çështje që përmirësohen gjatë rrugës”, tha Berisha, duke shtuar se “në tërësi ky proces ka funksionuar me përgjegjësi të plotë”.