Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 19:13

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se “koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, mori në këto zgjedhje mbështetje më të madhe dhe më historike, ndërsa në raport me kundërshtarin tonë, morëm 17%, ose 140 mijë vota më shumë, në mbarë vendin”.

Gjatë mbledhjes së grupit të PD-së, shefi i ekzekutivit tha se “me këto zgjedhje, Shqipëria është më demokratike se kurrë, ndërsa pjesëmarrja në to ishte historike”.

Duke e cilësuar si “një plebishit madhështor i qytetarëve për suksesin e reformave të qeverisjes”, Berisha tha se “shqiptarët vlerësuan koalicionin qeverisës dhe i dhanë atij një mbështetje të jashtëzakonshme, pasi nuk ka patur asnjë fitore tjetër të ketë qenë simotër e 92-it siç është kjo fitore”.

Ai e cilësoi të goditur moton “Të parët jeni ju”, si dhe besimi i mazhorancës tek udhëheqja e tyre pasi dolën fitimtar.

“Ishte e ndershme koalicioni që bëmë dhe ai funksionoi në mënyrë të shkëlqyer pasi pa funksionimin e tij, ky rezultat nuk do të mund të arrihej”, nënvizoi Berisha.

Më tej shefi i qeverisë vuri në dukje se në këtë fushatë, pas 11 vitesh Tirana kthehet në blu dhe kjo është një nga arritjet më të mëdha dhe historike.

“Sot, Lulëzim Basha, i cili zhvilloi fushatën më të bukur dhe më të fuqishme, është i fituar me rezultatin e tanishëm, 78 vota para. Natyrisht që pritet finalizimi i shqyrtimit të të gjithë problematikës, por e vërteta është se në këtë fitore të ngushtë, qytetarët e Tiranës votuan Bashën më shumë se çdo kandidat tjetër”.

Sipas tij, qytetarët e Tiranës i besuan alternativës dhe kandidatit të këtij koalicioni.

“Fitorja është e ngushtë dhe në datën 14 maj, rezultoi se Rama ishte 10 vota para dhe asnjë nuk e mohoi këtë, por ne kemi të gjitha dokumentet që në një qendër votimi, në zonën 8, komisioneri i PS-së ia doli që të mos vendosë vulën në 10 vota, po në këtë zonë KZAZ, nuk pranoi të përfshijë në tabela 46 vota”, theksoi Berisha.

Duke vënë në dukje se, “ne jemi parti e votës së lirë dhe nuk lëkundemi nga ky parim”, kryeministri i cilësoi edhe deklaratat e opozitës për revolta popullore si “thjesht, klithma dëshpërimi i atyre që kanë humbur arsyen”.

“Rezultati i ngushtë për Tiranën është sfidë për demokracinë shqiptare, që duhet trajtuar me të gjitha rregullat e shtetit ligjor. Por, u them atyre që kërcënojnë se, demokracia e këtij vendi është shumë herë më e fortë se sistemet që i kanë përkulur ata, dhe se një sistem demokratik nuk mund të mposhtet nga aventurierë”, nënvizoi Berisha.

Gjithashtu, shefi i ekzekutivit e cilësoi “të ligjshme dhe të bazuar në kodin aktual elektoral që KQZ-ja veproi si KZAZ për Tiranën”.

“Ligji i vendit ia ka përcaktua këtë mundësi dhe president me fuqi të plota ekzekutive, ka vetëm gjykatën që mund të rrëzojë vendimet e tij. Kjo është ajo çfarë ligjvënësi ka përcaktuar dhe që vota e zgjedhësit duhet të numërohet”, shtoi Berisha.

Ai shprehu vendosmërinë për mbështetjen e shtetit ligjor. “Fitorja më e madhe është që shteti ligjor funksionoi, duke dhënë përgjigje ligjore të gjitha problematikave ligjore këtyre zgjedhjeve, siç duhet”, tha Berisha.

“Demokracia nuk është kërcënim, pasi në themele e ka të përjashtuar kërcënimin”, theksoi kryeministri Berisha, ndërsa përfundoi se, “institucionet duhet t’i lëmë që të bëjnë punën e tyre”.