Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 16:02

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha ripërsëriti sot thirrjen ndaj anëtarëve dhe mbështetësve të mazhorancës, por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, që të shmangin çdo akt dhune dhe të kontribuojnë për një fushatë zgjedhore me standarde dhe moral qytetar.

Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha u shpreh se në këto zgjedhje vendore duhet të predominojë dialogu rreth kandidatëve dhe projektit të tij. “Fushata zgjedhore është momenti ku çdo qytetar ka mundësi të japë një kontribut thelbësor në konsolidimin e demokracisë”, tha Berisha.

Në këtë drejtim, ai garantoi se “Aleanca për qytetarin” është tërësisht e angazhuar në një fushatë të bazuar në vlera qytetare, virtute dhe moralin më të mirë të qytetarit.

“Kjo fushatë duhet të ketë në themel dialogun intensiv me komunitetin dhe qytetarin. Fushata duhet të ketë në epiqendër qytetarin, vlerat, interesat, problemet, shqetësimet dhe vizionin e tij”, tha Kryeministri, duke ftuar të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e kësaj Aleance që t’i përmbahen me rigorozitetin më të madh frymës morale të kësaj fushate.

Në të njëjtën kohë, Kryeministri i bëri thirrje edhe kundërshtarëve politik që t’u japin mundësi qytetarëve të vlerësojnë garën e kandidatëve dhe alternativave dhe të lënë mënjanë pasionin për fjalë fyese. “Ftoj Edi Ramën që të japë kontributin e tij për një fushatë dinjitoze, paqësore dhe në interesin më të mirë të Shqipërisë”, tha ai.

“Shqipëria ka hyrë në një fazë shumë të rëndësishme të integrimit të saj në BE”, tha Berisha duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare.

Kryeministri Berisha përgëzoi forcat e rendit për punën shumë të mirë që kanë bërë në trajtimin profesional të të gjitha rasteve të incidenteve elektorale dhe u bëri thirrje mbështetësve të maxhorancës të vënë në piedestalin e këtyre zgjedhjeve, vlerat më të mira qytetare.

“Ne duhet të faktojmë përkushtimin tonë total për zgjedhjen e qeveritarëve vendorë me projektet dhe alternativat më të mira dhe rëndësinë që kanë këto zgjedhje për procesin e integrimit. Një proces zgjedhor i standardeve ndërkombëtare ka kusht themelor zbatimin në frymë dhe në gërmë të ligjit zgjedhor”, tha Berisha.

Ai theksoi se janë bërë hapa përpara me pastrimin e dublikateve nga listat e zgjedhëve, si dhe në parandalimin e  përdorimit të burimeve financiare të administratës për arsye elektorale.

Kryeministri kërkoi që edhe opozita të shmange çdo burim financiar të administratës për qëllime elektorale, në të gjtiha bashkitë ku qeverisë.