Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 15:21

Tiranë – Kryeministri Berisha, pasi votoi rreth orës 10.00 të ditës së sotme për zgjedhjet vendore, ia ka kushtuar një pjesë të paradites familjes, veçanërisht të vegjëlve, nipërve dhe mbesave.

Pas një muaji të lodhshëm, i përfshirë në një fushatë intensive elektorale në të gjithë vendin, Kryeministri, duke shfrytëzuar edhe heshtjen zgjedhore të kësaj dite, i është gëzuar familjes, sëbashku me bashkëshorten, zonjën Liri Berisha, vajzën Argitën, bashkëshorten e djalit, Shkëlzenit, dhe nipërit e mbesat, ku nuk mungonte as më i vogli, Arti.

Zoti Berisha ka shijuar një kafe në qetësinë dhe bukurinë që të ofron natyra në barin e lokalit “Sofra e Ariut”, në kodrat e liqenit artificial. Ky pushim, që edhe për shkak të motit të ngrohtë e shkëlqyes të kësaj dite pranvere, ishte një moment i bukur për të gjithë familjen, veçanërisht për të vegjëlit, të cilët nuk harruan t’i drejtonin pyetje të shumta për të gjithë këtë kohë, kur, për shkak të angazhimeve të shumta, zotit Berisha i duhej të ishte shpesh në lëvizje dhe bashkërisht me të, të vizitonin e të luanin me kafshët e ndryshme që strehohen aty.

Por, duket se gjyshi i tyre ishte ai që e shijoi më shumë këtë moment, për të cilin kalimi i herëpashershëm i fundjavave në natyrë me nipërit e mbesat mbetet aktiviteti më i preferuar.