Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 19:58

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha tha sot në mbrëmje se “në këto 10 vite, Edi Rama e shkatërroi urbanistikën e Tiranës në mënyrë të paimagjinueshme”.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha pranoi se sot në Tiranë ka zhvillime pozitive, por ka edhe zhvillime nga më dramatiket. “Tirana këto 10 vite ka njohur zgjerimin e 3 akseve kryesore, një bojatisje të pallateve, fenomen ky që është përshtatur në disa kryeqytete të botës. Mendoj se është bërë shumë mirë, por duhej më shumë”, tha ai.

Kryeministri pranoi se lumi i Lanës u kthye në standarde më të mira, por sipas tij, “kjo ndodhi vetëm në 2 kilometra të tij”. “Por, ana tmerrësisht regresive, krahasuar me diktaturën, është shpartallimi total i urbanistikës së këtij qyteti”, tha Berisha.

Sipas tij, “transporti publik sot është nga më të mundimshmit dhe të papranueshmit”. “Sot ka 180 m beton me 2-3 m hapësirë. Qytetari i Tiranës jeton me sipërfaqen më të pakët të gjelbër në Evropë”, tha më tej Berisha.

Gjithashtu, Kryeministri bëri përgjegjës Edi Ramën për shndërrimin e buxhetit të Tiranës në rroga për administratën e fryrë të Bashkisë.

Berisha tha se “Rama në mënyrën më të papërmbajtur shumëfishoi taksat që kishte në dorë vetë dhe sot Tirana nuk ka investime. “Ai adaptoi sistemin më të lartë të taksave, në një kohë që Tirana mund të shndërrohej në këtë periudhë në një gjenerator gjigant punësimi”, tha Berisha.

Ndërkohë, sipas tij, Lulzim Basha kandidon në këto zgjedhje si si zyrtari më i kompletuar në historinë e këtij kryeqyteti. “Basha ka një pasaportë të shkëlqyer në investimet publike, në marrëdhëniet ndërkombëtare, në Ministrinë e Brendshme”, tha Berisha, ndërsa vlerësoi fushatën pozitive të Lulzim Bashës në kryeqytet.