Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 19:36

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha dënoi sot të gjitha incidente që ndodhën gjatë kësaj fushate elektorale, ndërsa theksoi se ndikim në këtë klimë ka pasur gjuha e ashpër me të cilën filloi fushatën Edi Rama.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha tha i cilësoi të papranueshme të gjitha incidentet dhe u shpreh se të gjitha strukturat e PD-së kanë porosi të shmangin çdo lloj eksesi.

“Ne jemi të përcaktuar për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Çdo javë kam shfrytëzuar mbledhjet e qeverisë për të treguar qëndrimin më të ashpër ndaj këtyre akteve”, tha Berisha.

Sipas tij, “policia ka qenë në lartësinë e duhur dhe ka vepruar në kohën më të shpejtë”. Kryeministri theksoi se “policia e kontrollon tërësisht situatën dhe është e vendosur të zbatojë ligjin, ndërsa u bëri thirrje të gjithë komisionerëve është të bëjnë çdo gjë për të zbatuar ligjin”.

“Ka disa elementë shqetësues, një pikëpamje që ekziston se zoti Rama do bojkotojë zgjedhjet për shkak të rezultatit që nuk e ka. Por, unë nuk jam i prirur t’i besoj këto. Unë kam prirjen të besoj plotësisht në përgjegjësinë dhe integritetin e komisionerëve të të gjitha forcave politike. Kam besimin se do t’i përmbahen ligjin. Nuk besoj se opozita do të ripërsërisë atë që bëri në vitin 1996, se do të ishte një kthim pas”, tha Berisha.

Kryeministri garantoi se do të respektojë çdo votë dhe do të njoh çdo rezultat ndërkombëtarisht të çertifikuar.

Në këtë kuadër, Kryeministri theksoi se maxhoranca nuk ka bërë asnjë koment për tre vendimet që ka marrë Kolegji Zgjedhor në favor të opozitës. “Ne kemi sistem që ka faktuar veten, objektiv në shqyrtimin e ankesave dhe që jep mundësi të plotë shqyrtimi për çdo ankesë”, tha ai.