Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 13:28

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje dje të gjithë shqiptarëve që në 8 maj të japin kontributin e tyre për një proces zgjedhor dinjitoz, si qytetarë të një kombi që sheh të ardhmen e tij në Europë.

Me rastin e 5 majit, Ditës së Dëshmorëve, Kreu i Qeverisë zhvilloi homazhe dhe vendosi kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”, duke nderuar kujtimin e të rënëve në luftë për idealet e lirisë dhe demokracisë.

Berisha shfrytëzoi rastin për t’i drejtuar një apel qytetarëve shqiptarë për zgjedhjet vendore të 8 majit. “8 maji është Dita e Europës, dita e ngadhënjimit të lirisë në Europë. Në këtë ditë, shqiptarët shkojnë drejt kutive të votimit për të zgjedhur qeveritarët e tyre vendorë. Në nderim të idealeve të lirisë, shqiptarët duhet të votojnë si qytetarë europianë dhe të përzgjedhin kandidatin dhe forcën politike që ata duan”, tha Berisha.

Në kujtim të Ditës së Dëshmorëve, Berisha tha se “sot është dita e nderimit dhe përuljes me mirënjohjen më të thellë, para të gjithë atyre që flijuan jetën dhe rininë për të fituar pavdekësinë në altarin e kombit”.

Sipas tij, “sot është dita e mirënjohjes dhe respektit të madh dhe nderimit të pakufijshëm ndaj familjeve të të rënëve, të cilat kontribuan me jetën e njerëzve të tyre më të dashur në lirinë kombëtare”.

“Nderojmë sot të rënët e të gjitha kohërave me një ndjenjë krenarie të veçantë, sepse kurrë ndonjëherë nuk kanë qenë më të sigurta idealet e tyre të lirisë, se sa në ditët e sotme. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe flamuri për të cilin ata ranë, qëndron përkrah flamujve të kombeve të lira në Bruksel”, tha më tej Berisha.

Kryeministri theksoi se sot shqiptarët janë më të lirë se kurrë, pasi lëvizin të lirë në kontinetin europian. “Ne jemi më afër realizimit të ëndrrës sonë, integrimit të plotë të Shqipërisë në BE. Gjaku dhe sakrifica e tyre sublime është thirrje për të gjithë shqiptarët të nderojnë e konsolidojnë lirinë dhe vlerat e saj”, tha në përfundim Berisha.