Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 06:38

Tiranë – Kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Lulëzim Basha u shpreh në një deklaratë për mediat pas mbylljes së votimit në kryeqytet se përshëndet qytetarinë e treguar nga votuesit në Tiranë dhe se, pret i qetë rezultatin e zgjedhjeve.

Ai tha se “qytetari i fundit i Tiranës që kishte ndërmend të votonte e kishte hedhur votën e tij” dhe se “tani nuk kishte mbetur më qytetar pa votuar”.

“Dua t’i falënderoj te gjithë qytetarët që u përfshinë në fushatë dhe për vëmendjen që i kushtuan kandidatëve dhe mundësinë që më dhanë t’u kushtoj vëmendje”, tha Basha.

Ai u shpreh se pjesëmarrja rekord për Tiranën, procesi i ndershëm demokratik dhe ligjor, transparenca e procesit kërkojnë që palet të njohin e të respektojnë rezultatin.

“Të gjithë qytetarët e Tiranës janë fitues”, tha Basha, duke shtuar se “të dhënat si pjesëmarrja, sondazhet e exit-poll janë optimiste. Unë jam i vendosur të pres numërimin dhe shpalljen e rezultateve”.

Ai theksoi se transparenca e numërimit, respektimi i rezultatit është shërbimi më i mirë që mund ti bëhet vendit. Basha tha se “numëruesit kanë tani në duar procesin zgjedhor”.

“Ajo që duhet të bëjmë është të presim shpalljen e rezultateve. Unë do të pres rezultatin e KQZ’, u shpreh Basha.