Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 21:27

Tiranë – Kandidati i maxhorancës për kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, deklaroi sot se punësimi i qytetarëve të Tiranës do të jetë një nga prioritetet kryesore të tij.

Në një intervistë televizive, zoti Basha tha se “për mua punësimi ështe prioriteti numër një, pasi punësimi është problemi kryesor i këtij qyteti dhe problemet e qytetit duhet të jenë domosdoshmërisht problemet e Bashkisë. Unë kam një plan pesë pikësh për punësimin që do ta zbatoj që nga java e parë si kryebashkiak”.

Duke u ndalur te projektet për zhvillimin e Tiranës, Basha tha se ky muaj do të jetë muaji kur bashkia e Tiranës do të ulë sistemin e taksave, do të eliminojë shumë taksa dhe tarifa vendore, nga 85 taksa dhe tarifa vendore do të lërë 20 prej tyre.

“Plani im parashikon ndërhyrje të menjëhershme si reforma fiskale, që do të çlirojë energji të mjaftueshme financiare. Kam premtuar një fond special për garancinë e kredive për biznesin e vogel dhe të mesëm deri në 20 milion euro impakt kreditues, minimalisht 6 mijë vende të reja pune. Kam premtuar se nuk do ta lë më Tiranën dhe infrastrukturën e saj peng të kacafytjeve politike. Do të nis menjeherë punën për unazën e madhe, e cila do të hapë 5800 vende të reja pune”, tha Basha.

Kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” u zotua se do ta shndërrojë Tiranën në një ambient tërheqës për investime. “Do ta kthej Tiranën në ambientin më tërheqes për investimet e brendshme dhe të huaja. Fakti është se sot Tiranës po i ikin bizneset, korporatat, dhe kështu qyteti rrjedh vende pune. Unë jam i vendosur që ta shndërroj Tiranën në ambientin më miqësor për investimet. Jam i vendosur që në 4 vitet e ardhshme të garantoj minimalisht 1 miliard euro investime private. Tirana ka shumë energji, kapitale që flenë dhe bashkia në drejtimin tim, do t’i bëjë pjesë e një tregu dinamik”, tha Basha.

I pyetur për ndryshimin e programit te tij me atë të kryebashkiakut aktual të Tiranës, njëherësh kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, kandidati i maxhorancës, Lulzim Basha, theksoi se “për mua nuk ka asgjë më të rëndësishme se qytetari, problemet, hallet e tij. “Mendoj se kandidati tjeter e ka bërë të qartë të paktën në kater vitet e fundit, që kur kryeson partinë më të madhe te opozites, se është më i interesuar në aktivitetin e tij politik, konfliktet dhe sherrin e tij politik, që për fat të keq, janë mbivendosur me axhendën e qytetareve të Tiranes dhe si rregull, jo si përjashtim, kanë marrë peng projektet dhe politikat kryesore të zhvillimit, të cilat sot nuk i kemi, pikërisht, për shkak të konfliktit politik, të mbivendosjes së luftës politike mbi nevojat e Tiranës. Ky është ndryshimi rrënjësor. Për mua Tirana është e para”, tha Basha.