Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 19:08

Tiranë – Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha, zhvilloi sot takime me banorët në njësinë Bashkiake nr 1, në parkun e Liqenit Artificial, me një grup te rinjsh dhe me banorët e Unazës së Re.

Gjatë takimit në njësinë bashkiake numër 1, banorët i shprehën shqëtësimin kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, se janë detyruar të kryejnë ndërtime pa leje, pasi Bashkia nuk u ka kthyer përgjigje për kërkesat e tyre, sikundër janë detyruar që t’i japin rryshfet policisë bashkiake për t’i lejuar të vazhdojnë këto punime.

“Shtëpia është duke u bërë pa leje dhe është në proces legalizimi. Nëse t’i na jep fjalën që policët e Bashkisë, nën drejtimin tend, nuk do të marrin 1 milionë lek që unë të vazhdoj ndërtimin, ke votën e lagjes tone. Kam kërkuar mbi 5 herë dhe nuk kamë marrë asnjë përgjigjigje”, tha një qytetar.

Në përgjigje të këtij shqetësimi, Lulzim Basha deklaroi se kjo praktikë do të marrë fund me 9 maj dhe qeverisja do të vijë më pranë qytetarëve, duke u kaluar njësive vendore kompetencat për dhënien e lejeve të ndërtimit ne volume të vogla.

“Një qytet kur nuk qeveriset do vetëqeveriset dhe unë nuk jam për vetëqeverisje, por një qeverisje të përbashkët si qytetarë”, tha Basha.

Ai u shpreh se “nuk kam ardhur këtu për të thënë që kam ndërtuar Durrës-Kukës, kam ardhur t’u them që do ndërtoj Unazën e Madhe, do heqim këto plehra dhe mbeturina që këtej dhe do ndërtojmë të gjitha këto lagje me rrugë të parametrave europiane me kopshte, çerdhe, shkolla dhe hapësira të gjelbërta”.

Paraditën e sotme, kandidati Basha zhvilloi një takim edhe me banorët e zonëz së Unazës së Re, zonë e cila administrohet nga Komuna e Kasharit. “Këtu me të vërtetë është një territor i administruar nga kolegu Fuçia, por është territor ku gjenden banorë të Tiranës, banorë për të cilët përgjësinë e ka Lulzim Basha. Nesër ju garantoj se do të jetë vlerë e shtuar, për bashkëpunimin Tiranë-Kashar, për problemet e familjeve tuaja, fakti që do keni dy njësi vendore që do kujdesen për ju, Komuna e Kasharit ku banoni dhe qyteti i Tiranës ku ju jeni qytetarë të Tiranës”, tha Basha.

Ndërsa gjatë një takimi me maturantët, Lulzim Basha i ka garantuar ata se në platformen e tij, parashikon krijimin e mundësive reale që çdo i ri të mund të vazhdojë arsimin e lartë. Ai theksoi se do të investojë në garat ndërshkollore në të gjitha rrafshet dhe për fituesit do të ketë një çmim të vecantë nga kryebashiaku.

“Ju do të jeni brezi i parë i studentëve në Tiranë që do pajiset me kartën studentore të Bashkisë së Tiranës. Unë do të ngre një fond special bursash dhe fillimisht do t’u jepet atyre që shkelqejnë me rezultatet e tyre”, u shpreh Basha.

Ai bëri të ditur se Bashkia do të përcaktojë vetëm si fillim, vetëm vitin e parë 500 bursa për studentët në nevojë.