Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 13:51

Tiranë – Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, në vijim të takimeve me elektoratin ka zhvilluar takime me gratë e kryeqytetit si dhe me gjimnazistë, ku ka prezantuar projektet e tij në shërbim të tyre.

Në takimin e djeshëm në Pallatin e Kongreseve, Basha ka prezantuar pjesë nga platforma e tij, e cila parashikon stimuj të vecantë për punësimin e grave, krijimin e lehtësirave për ato në marrëdhënie pune si dhe mbështetje të veçante për gratë kryefamiljare.

“Një vëmendje të vecantë do të kem për gratë kryefamiljare. Në programin tim të strehimit, i cili parashikon një fond special për çiftet e reja në Tiranë dhe 1000 apartamente sociale brenda katër viteve të ardhshme, do të ketë vend të bollshëm për të trajtuar problemin e tyre. Ne do të përparësojmë punësimin e gruas dhe krjimin e kushteve të barabarta të pagesës për gratë”, tha Basha.

Kandidati i së djathtës u shpreh edhe në lidhje me taksat, duke thënë se ka një plan për të normalizuar cmimet dhe që fillon me uljen e shumëfishtë të taksave për qytetarët dhe bizneset e Tiranës dhe themelimin e agjencisë së mbrojtjes së konsumatorit.

“Agjencia do të hulumtojë, godasë, raportojë këdo që spekullon me çmimet në Tiranë. Prandaj u them sot, do t’i ul taksat dhe do të bëj normalizmin e cmimeve, pririoritetin tim numër 1”, tha Lulzim Basha.

Ai takoi edhe të rinj të kryeqytetit dhe u premtoi atyre se në politikat e tij do të mbeshtesë arsimimin e te rinjve duke i ofruar edhe mbeshtetje financiare.

Lulzim Basha parashikon si fillim, 500 bursa për të rinjtë në pamundësi ekonomike dhe 100 bursa për më të mirët, ndërkohë që për gjimnazistet e Tiranës ai parashikon përmirësim të kushteve të tyre, ndërtimin e 4 shkollave të mesme, krijimin e ambjenteve sportive dhe akses të gjërë në internet.