Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 14:28

Tiranë – Kandidati i maxhorancës për kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, siguroi banorët e Njësisë Bashkiake nr.3, se “Bashkia nën drejtimin e tij, do të jetë në anën e qytetarëve”.

Në takimin që zhvilloi me banorët e kësaj njësie, ku edhe prezantoi kandidatin për kryetarin e saj, Ilir Kokona, Basha u shpjegoi atyre politikat e tij për uljen e çmimeve, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Ndonëse paguajnë taksa të larta, qytetarët dhe bizneset e Tiranës nuk marrin shërbimin e merituar dhe për këtë arsye ata janë të detyruar të paguajnë sërish”, tha Basha.

Nisur nga ky fakt, Basha shpjegoi se politika e tij për uljen e çmimeve, bazohet tek ulja e taksave, si dhe ofrimi i shërbimeve nga ana e Bashkisë.

“Le ta fillojmë aty ku dhimbja është më e madhe, ta nisim duke i rikthyer qytetarëve të Tiranës çmime normale, me një treg normal”, u tha Basha banorëve të zonës.

Edhe pse 85 taksat e tarifat vendore derdhen nga qytetarët dhe bizneset në arkën e bashkisë, tha Basha, ajo nuk ofron shërbimet e domosdoshme, për mungesën e të cilave, qytetarët dhe punëdhënësit e Tiranës, janë të detyruar të nxjerrin sërish para nga xhepi, për t’i kryer ato.

Basha përsëriti edhe një herë para banorëve të minibashkisë nr.3 në kryeqytet, se ulja e taksave, heqja e mbi 60 tarifave vendore, nuk është sllogani i tij politik, por është zotimi i tij dhe ai do ta bëjë realitet që në javën e parë të mandatit të tij si kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës.

Përveç taksave të ulta, Basha tha se në platformën e tij për qytetin, brenda majit, parashikon ngritjen e Agjencisë Bashkiake për mbrojtjen e Konsumatorit, qëllimi i së cilës është identifikimi dhe goditja e çdo kujt që do të spekullojë me çmimet e larta në tregjet e kryeqytetit.

Basha siguroi edhe një herë se punësimi nuk do të jetë si diçka e pakuptueshme brenda kompetencave të kryetarit të Bashkisë, por detyra numër një e kryebashkiakut të ardhshëm të Tiranës.

Politika e uljes së taksave, për kandidatin e djathtë për bashkinë e kryeqytetit do të mundësojë hapjen e mbi 4000 vendeve të reja të punës në Tiranë.

Basha tha gjithashtu se në politikat e tij për strehimin, ai parashikon edhe krijimin e një fondi të veçantë, për të ndihmuar çiftet e reja të marrin kredi në kushte lehtësuese, sikundër premtoi brenda katër vitesh, ndërtimin e 1000 apartamenteve të reja , ndërkohë që puna për Tiranën europiane, tha ai, se do të nisë me ndërtimin e lagjeve të saj.