Lajme Shqip Sunday, 22 May 2011 12:48

Tiranë – Për të gjashtën ditë me radhë mbështetës dhe deputetë të opozitës janë mbledhur të dielën para godinës së KQZ-së, për të kundërshtuar vendimin e këtij institucioni për rezultatin e bashkisë së Tiranës.

Opozita këmbëngul se kandidati i saj për Tiranën, Edi Rama ka fituar me 10 vota ndaj rivalit të tij demokrat Lulzim Basha dhe numërimi i votave të hedhura gabim nga zgjedhësit në kutitë e tjera, gjatë procesit të votimit të 8 majit, është një vendim antiligjor i KQZ-së, që synon të ndryshoj këtë rezultat në tavolinë.

Deputetë dhe simpatizantë të opozitës që kanë folur gjatë protestës së sotme përsëritën se “kjo është një procedurë antikushtetuese që dëmton rëndë besueshmërinë dhe deformon me qëllim rezultatin për kryeqytetitin”, ndërsa u shprehën të vendosur “në mbrojtje të votës së lirë”.

Paralelisht me protestën e opozitës, KQZ ka vijuar normalisht mbledhjen me rendin e ditës, fillimisht me ankimimet e subjekteve të ndryshme për zgjedhjet vendore të 8 majit, ndërsa pritet që të nisë numërimi i fletëve të hedhura gabim për kreun e ri të bashkisë së Tiranës.

Aktualisht, kandidati demokrat për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha është në avantazh me 89 vota ndaj rivalit socialist Edi Rama.