Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 13:53

Tiranë – Katër ditë pas përfundimit të procesit të votimit të 8 majit, në bashkinë e Tiranës vazhdon numërimi i votave në katër minibashki, ndërsa në 7 të tjera ky proces është përmbyllur.

Gara mes dy kandidatëve mbetet e fortë nga rezultatet e shpallura deri më tani, kur mbeten për t’u numëruar më pak se 50 kuti votimi nga 485 te tilla.

Diferenca e votave mes dy kandidatëve kryesorë, demokratit Lulzim Basha dhe kryesocialistit Edi Rama gjatë gjithë procesit të deritanishëm të numërimit është paraqitur e ngushtë. Përgjatë këtyre ditëve të numërimit, herë ka kaluar në avantazh me disa qindëshe votash kandidati Basha dhe herë kandidati Rama.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, të enjten në mesditë kryesonte me mbi 500 vota kandidati Basha. Ky i fundit në një konferencë për shtyp, të enjten në mesditë kërkoi që trysnia që vjen nga gara e ngushtë mes kandidatëve në kryeqytet, të mos ndikojë në detyrën e rëndësishme të numërimit të saktë dhe të ndershëm të çdo vote. “Siç e dini, unë kam rimarrë kryesimin e garës, megjithatë kjo nuk e ndryshon vendosmërinë time për të pritur numërimin e drejtë, transparent, të saktë dhe pa vonesë të çdo vote”, tha Basha.

Ndërsa kandidati Rama, në një dalje publike dje në mbrëmje tha se janë të kota të gjitha orvatjet që bën pushteti për të ngadalsuar procesin e numërimit në Tiranë, pasi siç u shpreh ai “Tirana tashmë është fituar nga socialistët”.

Gjithsesi mungesa e një avantazhi të dukshëm për secilin prej kandidatëve, duket se ka sjellë tension në 3 komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve në Tiranë, ku po numërohen aktualisht votat, në njësinë bashkiake numër 5, numër 8 dhe numër 11, ku është vënë re dhe një ritëm tepër i ngadaltë i numërimit të votave.

Vëmendja e demokratëve është përqëndruar në njësinë 8 dhe 11, ndërsa e socialistëve në njësinë bashkiake numër 5, ku dy forcat politike besojnë se kanë edhe mbështetjen më të madhe.

Sipas të dhënave nga të dyja palët, në këto dy minibashki janë hasur dhe vonesa të qëllimshme në numërimin e votave. Dy partitë e mëdha besojnë se votat e këtyre dy minibashkive, do të jenë përcaktuese për rezultatin përfundimtar të bashkisë së Tiranës.