Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 15:08

Tiranë – Në Tiranë përfundoi fundjavën e kaluar procesi i numërimit të votave për kreun e ri të bashkisë, por fituesi do të mbetet pezull deri në zyrtarizimin e tij nga komisioni qëndror i zgjedhjeve. Për shkak të diferencës së ngushtë me disa vota mes kandidatit demokrat Lulzim Basha dhe kandidatit socialist Edi Rama, KQZ ka nisur verifikimin e dokumentacionit dhe  të të gjitha tabelave të rezultateve në 11 qendrat e numërimit, me qëllim shmangien e ndonjë gabimi të mundshëm njerëzor në pasqyrimin e të dhënave.

Sipas kodit zgjedhor KQZ duhet të shpallë rezultatin brenda 48 orëve nga marrja në dorëzim e materialeve të votimit dhe tabelave të rezultateve nga komisionet zonale. Kryetari i KQZ Arben Ristani ka bërë të ditur se 48-orëshi fillon pas marrjes së tabelës së fundit nga KZAZ-të.

Por, duket se fituesi për Tiranën do të mbetet peng i një procesi të gjatë që nuk do të mbyllet vetëm me shpalljen e rezultatit nga KQZ, kur tashmë ka nisur një debat lidhur me disa fletë votimi për kryetarin e bashkisë që janë gjetur në kutitë e tjera të votimit për kryetar minibashkie apo për këshillat bashkiakë dhe që nga përfaqësuesit e komisioneve zonale janë përfshirë në zarfin me fletët e kontenstuara.

Në një dalje për mediat Kryeministri Sali Berisha deklaroi se do të kërkohet vlerësimi i të gjithë votave të konsideruara të kontestuara, ndërsa përsëriti se nga të dhënat në dispozicion kandidati demokrat Lulzim Basha ka marrë më shumë vota.

Edhe kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të lexohet çdo votë e kontestuar dhe të degjohet zëri i çdo qytetari në mënyrë të barabartë kur dihet se kjo garë ishte shumë e ngushtë. Basha përsëriti edhe një herë qëndrimin se do të presë rezultatin final nga KQZ për fituesin e zgjedhjeve në Tiranë.

Nga ana e tij kryesocialisti Edi Rama dhe kandidat i opozitës për një mandat të katërt në krye të bashkisë së Tiranës , menjëherë pas përfundimit të procesit të numërimit shpalli fitoren me 10 vota më shumë ndaj rivalit të tij Basha. Në këto kushte Partia Socialiste i ka bërë thirrje KQZ që të shpall sa më shpejt rezultatin për bashkinë e Tiranës. Në një komunikim me mediat, përfaqësues të kësaj partie thanë se zotërojnë procesverbalin e firmosur nga komisionerët demokratë dhe socialistë në përfundim të numërimit të votave në njësinë bashkiake numër 5, sikurse dhe dokumentacionin e plotë të firmosur nga të gjitha palet në njësitë e tjera, të cilat flasin se Edi Rama është kandidati fitues për kreun e bashkisë së Tiranës.

Numërimi i votave në kryeqendrën e Shqipërisë përfundoi gjashtë ditë pas procesit zgjedhor të 8 majit kur u votua për 383 drejtuesit e rinj të njësive vendore. Ndryshe nga bashkitë dhe komunat e tjera, numërimi i votave në Tiranë eci me ritme të ngadalta, sidomos në njësinë bashkiake numër 5, një nga 11 minibashkitë e kryeqytetit.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale të 8 majit, tregojnë se opozita ka fituar shumicën e bashkive të mëdha në Shqipëri, kurse demokratët kanë fituar shumicën e komunave.

Sipas shifrave zyrtare të publikuara deri më tani nga KQZ, në rang vendi për këshillat bashkiakë koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka marrë 803.182 vota, kurse koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” 663.408 vota, me një diferencë prej 139. 774 vota,  ndërsa për partitë jashtë koalicioneve janë dhënë 75. 247 vota.

Nisuar nga ky rezultat Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se kryesocialisti Rama, nuk e ka fituar referendumin që shpalli gjatë fushtës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit.