Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 06:47

Tetovë – Më 4 maj, në Konventën partiake, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), zyrtarisht do të publikojë listën e kandidatëve për deputetë. Një vendim i këtillë u mor në Kuvendin qendror të PDSH-së që u mbajt të dielën në Tetovë. Pas debatit dhe konsultimeve të kuvendarëve, kryetarit të kësaj partie Menduh Thaçi, iu dha e drejta që ai të hartojë listën përfundimtare të deputetëve. Kryetari i Kuvendit të PDSH-së Arbër Xhaferi ka thënë se për këtë pritet të vijojë një debat demokratik në të cilin, siç pohoi, “do të zgjidhen përfaqësuesit më të mirë të shqiptarëve në Parlament”. Xhaferi madje ka sqaruar se do propozojë që fjalën e fundit për listën finale të kandidatëve për deputet të PDSH-së ta japë kryetari i saj, Menduh Thaçi.

“Si zakonisht para zgjedhjeve Kuvendi qendror ka detyrë që të propozoj listën e kandidatëve për deputetë. Do të jetë temë interesante, e vështirë, por unë mendoj se përmes një debati demokratik do të vijmë deri te lista që përfaqëson jo vetëm interesat e PDSH-së, por të mbarë popullatës shqiptare në Maqedoni. Kam ndërmend të propozoj që kryetari i partisë, pas konsultimeve që do të bëj me forumet e PDSH-së, të japë ai propozimin përfundimtar për listën e kandidatëve”, ka thënë kryetari i Kuvendit të PDSH-së Arbër Xhaferi.