Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 07:10

Tetovë – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka përgënjeshtruar të shtunën kalimin e kryetarit të nëndegës së BDI-së në Brodec, në radhët e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH).

“Njoftojmë anëtarësinë e BDI-së dhe opinionin e gjerë publik se kjo parti me dezinformata të kësaj natyre për të satën herë dëshiron të manipuloj me shqiptarët dhe nëpërmjet shpifjeve të tilla mundohet të arsyetoj vetveten dhe të mbuloj krimet e saj që bëri ndaj banorëve të Brodecit në nëntor të vitit 2007. Drejtuesit e këtij grupacioni politik para se të raportojnë për goja aktivitete të tyre, bëjnë mirë ta njoftojnë opinionin publik për refuzimin që u është bërë nga banorët e këtij fshati të Malësisë së Tetovës”, ka thënë zëdhënësja e degës së BDI-së në Tetovë, Shpresa Zeqiri.

“Kryetari i Këshillit vendor të BDI-së në fshatin Brodec jo vetëm që vazhdon angazhimin e tij në radhët e BDI-së por së bashku me drejtuesit e partisë sonë në vazhdimësi kontribuon për të lehtësuar dhimbjet e këtyre banorëve që PDSH-ja ua shkaktoi në vitin 2007. Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre historike dhe me bilanc negativ të punëve, këta zotëri në prag të fushatës elektorale për paradoks tentojnë të përfitojnë politikisht në një terren që vite me radhë i ka ndëshkuar me votën e tyre në të gjitha ciklet zgjedhore”, ka thënë Shpresa Zeqiri nga BDI.

Pas dështimeve të panumërta për të rekrutuar anëtarë të saj në Malësinë e Sharrit dhe e vetëdijshme se që nga themelimi kanë qenë të padëshirueshëm në këto zona, madje sipas Zeqirit nga partia e Ahmetit, “PDSH-së nuk i mbetet rrugë tjetër, që nëndegët e saja, t’i themeloj jo në terren por vetëm në konferenca për media”.