Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 18:50

Tepelenë – “Shqiptarët në 8 maj do të votojnë për t’i dhënë fund krizës politike të stërgjatur”, deklaroi sot Gramoz Ruçi, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, gjatë prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, në rrethin e Tepelenës.

“Jemi në një krizë të gjatë politike, prandaj ju bëj thirrje të gjithë banorëve të Tepelenës të votojnë për Partinë Socialiste, e cila është e vetmja rrugë për të zgjidhur hallet tuaja”, theksoi Ruçi.

Ndërsa, Tërmet Peçi, kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” për Bashkinë e Tepelenës, përfaqësues i PS, tha se “ky qytet këtë herë do të votojë alternativën më të mirë për të udhëhequr për katër vitet e ardhshme pushtetin vendor”.

Peçi premtoi se furnizimi me ujë të pijshëm, disiplinimi i ujërave të bardha dhe të zeza, ndriçimi i rrugëve të brendshme, pastëria e qytetit, trashëgimia kulturore, si dhe transparenca me taksapaguesit do të jetë plani i parë i punës, në rast se zgjidhet kryetar i bashkisë.

“Rikthimi në identitet i qytetit është një domosdoshmëri për komunitetit, pasi vetëm me turizmit kulturor dhe historik ky qytet mund të jetoje, të rrisi standardet e jetës, si dhe të garantojë të ardhmen e saj”, përfundoi Peçi.