Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 07:03

Tepelenë – Ka përfunduar pak më parë numërimi i të 7 kutive të votimit të bashkisë së Tepelenës, nga ku fitues rezulton kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Tërmet Peçi.

Kryetari i KZAZ-së nr. 24, Behar Lulo, tha për ATSH-në se kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Tërmet Peci, ka fituar 1741 vota kundrejt kandidatit të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Reshat Zika, që ka marrë 1217 vota, ndërsa kandidati i “Aleancës për qytetarin”, Sevo Mici, kryetari në detyrë i bashkisë, ka marrë 750 vota.

Sipas Lulos, “Aleanca për të ardhmen” ka fituar 9 vende për këshillin bashkiak, ndërsa “Aleanca për qytetarin” 6 vende.

Lulo tha se rreth orës 10.00 pritet të fillojë procesi i numërimit të votave për 9 njësi vendore, një për bashkinë e Memaliajt dhe 8 komuna.

Në KZAZ-në nr. 24 të Tepelenës morën pjesë në votime rreth 49.5 % e votuesve në 85 qendra votimi.