Lajme Shqip Tuesday, 26 April 2011 12:07

Tiranë – Kryetari i PS-së, Edi Rama, njëherësh kreu në detyrë i Bashkisë së Tiranës, kërkoi nga banorët e njësisë bashkiake numër 3 në kryeqytet, që në 8 maj të votojnë për të çliruar nga pengmarrja Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Gjatë një takimi me banorë të njësisë bashkiake numër 3, në kryeqytet, Rama siguroi se akoma më shumë do bëhet nga bashkia e kryeqytetit, pasi të çlirohet në 8 maj Këshilli Bashkiak dhe pasi të marrë fund pengmarrja e Tiranës.

“Gjithë komunitetit të Kodrës së Priftit dua t’i përcjellë mesazhin se në 8 maj ka një rëndësi themelore vota për të çliruar Këshillin Bashkiak, nga kthetrat e koalicionit të turpit. Në mënyrë që vendimmarrja në Këshillin Bashkiak, të jetë në interes të çdo komuniteti dhe askush të mos marrë më peng qytetarët me këtë politikë të mbrapshtë, që nuk e lënë bashkinë kryejë punët”, tha Rama.

Ai u kërkoi banorëve të kësaj njësie që në 8 maj t’i japin fund maskaradës së krijuar nga bllokime të tilla ku nga njëra anë flitet për qytetarin e nga ana tjetër punohet vetëm për vete. Një tjetër shqetësim që Edi Rama ka hasur në këtë lagje ishte mungesa e ujit të pijshëm.

Gjithashtu, Rama u takua edhe me banorë të njësisë bashkiake numër 9 ku ripërsëriti se “zgjedhjet e 8 majit nuk janë zgjedhje thjesht dhe vetëm vendore, por janë zgjedhje thellësisht politike”.

“Është koha që shqiptarët me votën e tyre të shprehen për atë që ka ndodhur dy vjet rresht pasi u vodh vota e tyre. Shqiptarët duhet të shprehen edhe për një ndryshim rrënjësor të politikës kombëtare mbi territorin. Për një rrugë të re të zhvillimit të territorit”, tha Rama.