Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 07:32

Tiranë – Në orën 07:00 nisi zyrtarisht procesi i votimit për zgjedhjet vendore 2011 në Republikën e Shqipërisë. Sipas Kodit Zgjedhor, qendrat e votimit janë hapur në orën 07.00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Për zgjedhjet vendore të 8 majit janë regjistruar 3.164. 859 votues, bazuar mbi të dhënat e regjistrit kombëtar elektronik. 
Në të gjithë vendin janë ngritur 4.932 qendra votimi, ndërsa procesi do të administrohet nga 66 komisione zonalë të administrimit zgjedhor. 
Në Shqipëri funksionojnë 384 njësi vendore dhe zgjedhësit do të votojnë për 6125 vende në këshillat bashkiakë dhe komunarë. 
Procesi zgjedhor ditën e votimeve do të vëzhgohet nga rreth 5370 vëzhgues vendas dhe të huaj, ndërsa kostoja financiare e zgjedhjeve llogaritet në rreth 750 milion lekë.   
Në zgjedhjet e 8 majit, garojnë 56 subjekte politike, 45 prej të cilave janë grupuar në dy koalicione, një i spektrit të djathtë dhe një i spektrit të majtë. Ndërkohë që 11 subjekte të tjera zgjedhorë kanë vendosur të konkurojnë të vetme në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Dy koalicionet që garojnë për këto zgjedhje janë koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin” i kryesuar nga Partia Demokratike, një grupim politik me 22 parti dhe koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen” i drejtuar nga Partia Socialiste ku përfshihen 23 parti.