Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 10:56

Tiranë – Ka hyrë në ditën e 8-të përballja elektorale në fushatën për zgjedhjet vendore të 8 majit, mes koalicionit të djathtë “Aleanca për Qytetarin” të kryesuar nga Partia Demokratike, një grupim politik me 22 parti dhe koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen” i drejtuar nga Partia Socialiste ku përfshihen 23 parti. 
Edhe pse forcat politike të të dy spektreve kishin kohë që kishin ndezur motorrët elektoral në terren, 8 Prilli 2011 shënoi nisjen zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjen e pushtetarëve vendorë në mbarë vendin.  
Në zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri konkurojnë 56 subjekte zgjedhore, 45 prej të cilave janë grupuar në dy koalicione, një i spektrit të djathtë dhe një i spektrit të majtë. Ndërkohë që 11 subjekte të tjera zgjedhorë kanë vendosur të konkurojnë të vetme në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ashtu sikurse e parashikon edhe Kodi Zgjedhor, në harkun kohor të një muaji, kandidatët e partive politike dhe koalicioneve do të jenë në zonat e tyre për të shpalosur para elektoratit programin për qeverisjen vendore, për bashkitë, njësitë bashkiake dhe komunat.     
Gara më e fortë mbetet padyshim në kryeqytet, ku përballë janë Lulzim Basha për koalicionin “Aleanca për qytetarin” dhe kreu aktual i bashkisë, Edi Rama për koalicionin “Aleanca për të ardhmen”, që hyn në betejë për mandatin e katërt. 
Me një platformë elektorale që kujdeset të mbetet e depolitizuar, kandidati i maxhorancës Lulzim Basha është paraqitur para qytetarëve të Tiranës me premtime konkrete për rritjen e punësimit, uljen e taksave, garantimin e një infrastrukture moderne dhe shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet.
Basha ka premtuar miratimin e planit të ri urbanistik të kryeqytetit brenda 12 muajve të parë të mandatit të tij, si dhe hipotekimin e banesave të reja duke i dhënë frymëmarrje pronës private. 
Krejt ndryshe po e zhvillon fushatën e tij elektorale, deri tani Kreu i PS-së, Edi Rama, kryetari në detyrë i Bashkisë së Tiranës. Paralajmërimet për zhvillimin e një fushate kryesisht politike, që ka në themel të saj kontestimin e mënyrës së qeverisjes dhe shumë pak për paraqitjen e një programi te gjere konkret për Kryeqytetin, janë vënë tashmë në zbatim nga përfaqësuesit e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, të cilët në takimet me elektoratin janë përqendruar në akuzat ndaj qeverisë.
E fortë po zhvillohet gara elektorale edhe në bashkitë e tjera të mëdha, si Vlora, Durrësi, Fieri etj, ku kandidatët e “Aleancës për qytetarin” kanë vendosur në epiqendër të fushatës së tyre interesat e qytetarëve, ndërsa kandidatët e “Aleancës për të ardhmen” po bazojnë veprimin e tyre politik më shumë te motoja e fushatës “E vetmja rrugë”, duke propoganduar dështimin e qeverisë.        
Megjithë disa incidenteve sporadike dhe tensioneve të shënuara në terren mes simpatizantëve të dy koalicioneve, kryesisht, fushata elektorale është zhvilluar nprmale. Për të evituar incidentet elektorale, kreu i qeverisë Sali Berisha, njëkohësisht Kryetar i PD-së, u ka bërë disa herë thirrje mbështetësve të maxhorancës, por edhe gjithë qytetarëve shqiptarë që të orientohen drejt zhvillimit të një fushate qytetare dhe me vlera.
Zgjedhjet vendore të 8 majit janë cilësuar si shumë të rëndësishme nga faktori ndërkombëtar, që i ka mëshuar faktit se standardet që do të vendosen në zhvillimin e tyre do të kenë ndikim të konsiderueshëm në ecurinë e procesit të integrimit të vendit në BE.
Ata kanë vlerësuar Kodin aktual Zgjedhor, si dokumentin e vetëm ligjor në bazë të së cilit duhet të funksionojnë partitë politike dhe mënyra e organizimit të fushatës. Lidhur me zhvillimin e fushatës zgjedhore, Kodi Zgjedhor parashikon në detaje vendet e caktuara nga autoritetet vendore për vendosjen e posterave elektoral, një çështje për të cilën janë shënuar edhe disa përplasje mes simpatizantëve të forcave politike dhe instancave të pushtetit vendor.