Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 21:02

Tiranë – Me mbylljen e procesit të votimit, Policia e Shtetit ka kaluar në një fazë tjetër të rëndësishme të detyrave që i ngarkon ligji në kuadër të procesit zgjedhor, që është shoqërimi i kutive të votimit me materialet zgjedhore nga Qendrat e Votimit në Vendet e Numërimit të Votave.

Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit bëri të ditur pak më parë se, “punonjësit e Policisë në të gjithë vendin, sipas kërkesës së Komisioneve të Qendrave të Votimit, janë afruar në pritje për të bërë shoqërimin e kutive të votimit me materiale zgjedhore.

Deri në këto momente nga punonjësit e policisë, sipas burimeve, janë shoqëruar dhe dorëzuar në Vendet e Numërimit të Votave 3797 kuti votimi, ndërkohë që janë marrë masa për ruajtjen e ambienteve të Vendit të Numërimit të Votave, në total 66, të cilat janë marrë në ruajtje nga ora 19.00 e ditës së sotme.

Në deklaratën e Policisë theksohet gjithashtu se ky proces ka filluar pas orës 19.00 dhe aktualisht po ecën normalisht pa pasur asnjë incident dhe garanton opinionin publik se po vazhdon me seriozitet dhe angazhim maksimal e profesional këtë proces dhe do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim deri në përfundim të tij.

Gjatë gjithë ditës së sotme Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht si në drejtim të ruajtjes së objekteve zgjedhore deri në çeljen e votimit, ashtu dhe në drejtim të garantimit të rendit dhe të qetësisë publike gjatë ditës së votimit.

Situata në të gjithë vendin paraqitet e qetë. Deri në orën 22.00 nuk janë evidentuar probleme lidhur me qëndrimin e policisë gjatë procesit zgjedhor. Ndërkohë që nga KQV-të dhe KZAZ-të gjatë kësaj periudhe është kërkuar ndërhyrja e policisë me vendim sipas përcaktimeve të bëra në aktet normative vetëm në 12 raste, ku policia ka ndërhyrë sipas vendimit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe ka kryer detyrën për normalizimin e gjendjes dhe më pas është larguar sërish me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.

Gjatë procesit zgjedhor, strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë dhe në 7 raste incidentesh të vogla apo konfliktesh jashtë qendrave të votimit, ku strukturat e policisë kanë reaguar në kohë dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e dyshuar si dhe kryer të gjitha veprimet procedurale e referuar materialet përkatëse në Prokuroritë e rretheve Gjyqësore.