Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 20:07

Shkup – Demokracia e Re (DR), ka reaguar ashpër ndaj spekulimeve të publikuara kohëve të fundit në disa mediume të afërta me Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH) për gjoja largime të funksionarëve lokal nga DR-ja. ”DR është e vetëdijshme se PDSH, në mungesë të ndonjë oferte konkrete apo ideje në interes të elektoratit shqiptar, është në gjendje të përdor të gjitha metodat më të ulëta për të njollosur dhe dëmtuar Demokracinë e Re. Kësaj i bashkëngjitet edhe demanti i Këshilltarit të DR-së në Komunën e Petrovecit, z. Elmi Qerimi dhe të Kryetarit të Këshillit Vendor të DR-së në fshatin Orllancë të Komunës së Haraçinës, z. Sejfulla Bekteshi. Njëkohësisht, informojmë opinionin publik se ish-Kryetari i Këshillit Komunal të DR-së në Strugë, z. Hyjnor Kica nuk është larguar nga DR-ja dhe vazhdon të kryejë funksionin e anëtarit të Kuvendit të Këshillit Komunal të DR-së në Strugë dhe këshilltarit në Komunën e Strugës nga radhët e DR-së.

Këto veprime të PDSH-së janë asgjë tjetër përveç se demonstrim i hapur i panikut që mbizotëron në PDSH, sepse edhe vet janë të vetëdijshëm se pas 5 Qershorit do të shkojnë në histori”, thuhet në reagimin e DR-së së Imer Selmani.