Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 10:15

Shkodër – Kryetarja e Parlamentit dhe Nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, votoi sot në qytetin e Shkodrës. E shoqëruar nga bashkëshorti i saj Tonin Topalli, ajo votoi në qëndrën e votimit numër 306/1, të vendosur pranë mjediseve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, pjesë e KZAZ-së nr. 40.

“Sot është një ditë e bukur, një ditë me diell. Unë jam e sigurt se kjo ditë e votimeve për qeverisjen lokale do të jetë një ditë feste”, tha zonja Topalli, menjëherë pasi përfundoi procesin e votimit duke u shprehur në të njëjtën kohë shumë e kënaqur me organizimin e shkëlqyer që konstatoi në qëndrën e votimit.

Më pas, ajo shtoi se, “jam e sigurt që këto zgjedhje do të jenë zgjedhjet më të mira, ku qytetarët kudo, jo vetëm në Shkodër, por në çdo cep të Shqipqrisë, do të votojnë me qytetari, do të votojnë si europianë dhe sot ato kanë ditën e tyre për të votuar për atë që do të jetë kryetari i tyre i bashkisë më i miri, ai që mendon për qytetin dhe qytetarët”.

Topalli ftoi të gjithë qytetarët, jo vetëm në qarkun e Shkodrës, por në çdo cep të Shqipërisë, që të shkojnë për të votuar të lirë, të qetë, si qytetarë të një vendi anetar të NATO-s, si qytetarë shqiptarë që e dijnë të vlerësojnë, se çfarë është liria, sa mirë funksionon liria, mrekullinë e lirisë dhe për të votuar, për të vendosur atë se çfar ato gjykojnë për qytetin dhe qytetarët.