Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 14:58

Shkodër – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte dje në Shkodër, ku përmes një mitingu të organizuar në Dobraç të komunës Rrethina, mbështeti kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, për kryetar të kësaj komune, Kleves Muja.

Në hapje të takimit elektoral, kandidati socialist Muja bëri një panoramë të përgjithshme të programit të tij në drejtimin e kësaj komune nëse votuesit e kësaj zone do t’ia japin këtë mundësi.

Gjatë fjalës së tij, kreu i socialistëve Edi Rama, pasi ka ironizuar kryeministrin Berisha dhe kryetaren e parlamentit Topalli, për premtimet, sipas tij, artificiale që kanë bërë për zhvillimin e Shkodrës dhe të rrethinave të saj, u tha banorëve të pranishëm se “ata tallen me ju, sepse duan votat duke i bërë presion edhe socialistëve, për ta mbajtur pushtetin, që na fakt u ka ikur prej kohësh nga duart dhe e mbajnë vetem me pahir, pasi me datën 8 maj do të marri fund”.

Rama u bëri thirrje jo vetëm atyre që ishin të pranishëm, por edhe të gjithë të tjerëve, të afërme, miqve e shokëve të tyre, të shkojnë ne kutitë e votimit, duke u shprehur se “vota është fuqia që i jep demokracia çdo njeriu të zakonshëm. Vota është magjia e demokracisë”.

Duke përfunduar, kryetari i PS-se dhe njëherazi edhe kryetar dhe kandidat për bashkinë e Tiranës, Edi Rama, i premtoi banorëve të kësdaj komune se “pasi ju ta votoni kandidatin tonë socialist, unë me Bashkinë e Tiranës do ta ndihmojnë Klevesin dhe Komunën Rrethina dhe do ta shikoni vete se si do të ndryshojnë gjërat në këtë komunë.”