Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 15:03

Shkodër – Partia Balli Kombëtar Demokrat, pjesë e koalicionit të së djathtës “Aleanca për Qytetarin” hapi sot në mesditë fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit në qytetin e Shkodrës.

Kreu i kësaj partie dega Shkodër, Xhemal Shkjau, njëkohësisht edhe anetar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, pasi bëri një pasqyrë të rezultateve pozitive të arritura nga dega e Shkodrës gjatë mandatit të kaluar, bëri të ditur se dhe gjatë mandatit të ardhshëm do të jenë pjesë e koalicionit qeverisës, ndërkohë që theksoi se ballistët demokratë shkodranë do të votojnë të gjithë për kandidatin demokrat Lorenc Luka duke.

“Lorenc Luka është njeriu që ndryshoi infrastrukturën e Shkodrës, gjë që i duhet shumë qytetit tuaj. Ai është një njeri me një individualitet qytetar të spikatur, që do të thotë se premtimin ndaj jush e ka detyrim”, tha në përshendetjen e tij kreu i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, duke e cilësuar atë si njeriun që i përshtatet më shumë qytetit të Shkodrës.

Ai ftoi elektoratin e partisë që ai drejton të votojë kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” për kryetar bashkie, Lorenc Luka. Duke folur për programin e Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, Roshi, nënvizoi se “ne jemi për uljen e taksave për bizneset, pasi keshtu rrisim pavarësinë e qytetarit ndaj shtetit, ne jemi për një politikë sociale, qe do të thotë, reforma për stimulimin e punësimit e kualifikimit”.

Roshi tha se partia që ai drejton është për një pushtet lokal, i cili të ndihmojë familjet e porsakrijuara nëpërmjet subvencionimit të qerave të apartamenteve, për decentralizimin e mëtejshëm të pushtetit lokal, për një pushtet lokal transparent para qytetarit, që qytetari të kontrollojë nga afër manaxhimin e taksave.

Kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, kryetari aktual i bashkisë Shkodër Lorenc Luka, ka theksuar bashkëpunimin e mirëfilltë që ka ekzistuar gjatë katër viteve të mandatit të tij me këshilltarët e Partisë Balli Kombëtar Demokrat, ka garantuar se një bashkëpunim i tillë edhe më i mirë do të vazhdojë të jetë i pranishëm edhe në mandatin e ardhshëm, në shërbim të komunitetit të qytetit të Shkodrës.