Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 15:12

Shkodër – Procesi i numërimt të votave në tre KZAZ-të e Shkodrës, 40, 41 dhe 42, i cili filloi me shumë vonesë për arsye të mosparaqitjes së numëruesve të Partisë Socialiste, tashmë po vazhdon normalisht.

Interesi më i madh është përqëndruar tek KZAZ-ja numër 40, ku për kreun e bashkisë së Shkodrës kandidojnë Lorenc Luka i “Aleancës për Qytetarin” dhe Genc Uruçi i “Aleancës për të Ardhmen”.

Nënkryetari i kësaj KZAZ-je, Neritan Kalamishi, bëri të ditur se kandidati i Partisë Demokratike, Lorenc Luka, aktualisht kryetar i bashkisë së Shkodrës, që garon për një mandat të dytë në vazhdim, është në një avantazh me rreth 500 vota ndaj rivalit të tij, Genc Uruçi të Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe kryetar i PS-së së rrethit Shkodër.

Sipas Kalamishit, “këto janë vetëm 6- kutitë e para, të cilat i përkasin kryesisht qëndrave të votimit të lagjes turistike të Shirokës, dhe se në vazhdimësi pritet të numërohnen edhe të tjera.

Procesi i numërimit të votave po vazhdon normalisht edhe në dy KZAZ-të e tjera, 41 dhe 42 të cilat janë të vendosura në palestrat sportive të Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe të shkollës 9 vjeçare “Xheladin Fishta”.

Ndërsa, në KZAZ-në numër 42, në të cilën përfshihen komunat e Zonave Malore të rrethit Shkodrës, kutitë e para që po numërohen janë ato të qëndrave të votimit të komunës Rrethina të Shkodrës.

Gledis Çeliku, kryetar i KZAZ-së 42 bëri të ditur se  kandidati i “Aleanca për të Ardhmen”, Kleves Muja i Partisë Socialiste është në avntazh me rreth 950 vota ndaj kryetarit të kësaj komune Gëzim Hardolli të “Aleanca për Qytetarin”, i cili kandidon për një mandat të dytë radhazi.