Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 07:35

Shkodër – Kryebashkiaku shkodran Lorenc Luka, i cili kandidon për një mandat të dytë nën siglen e “Aleanca për Qytetarin”, i premtoi dje fëmijëve dhe rinisë shkodrane mjedise shlodhëse dhe komplekse sportive të reja.

I ftuar për të parë vizatimet e fëmijëve, të ekspozuara në sheshin pranë lulishtes në qëndër të qytetit, Luka u njoh me perceptimin e tyre për të ardhmen e qytetit.

“Mendimet tuaja janë me shumë vlerë, janë shumë të çmuara për ne, por të jeni të bindur që një pjesë e mirë e këtyre kërkesave që ju keni prezantuar sot janë në programin katër vjeçar të mandatit të ardhshëm në drejtimin e bashkisë së Shkodrës”, u tha kryebashkiaku dhe njëherazi kandidat për bashkinë e Shkodrës, Lorenc Luka, duke theksuar se “ne do të shtojmë më shumë ambiente shlodhëse, sipërfaqe të gjelbëra”.

Ndërkohë, Luka përfitoi nga rasti t’u bëjë të ditur fëmijëve se këto ditë bashkia bëri të mundur përfundimin e punimeve për portin e kanoeve.

Ai i garantoi fëmijët dhe të rinjtë shkodranë, se investimet për to do të vazhdojnë përsëri në zonën e Shirokës, për ta kthyer këtë pikë turistike, në një zonë mjaft tërheqëse, si për turistët, por edhe për të krijuar ambiente sa më të mira edhe për fëmijët dhe të rinjtë shkodranë.