Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 11:32

Shkodër – Situata në procesin zgjedhor vendor në qarkun e Shkodrës është krejt normale dhe pa asnjë incident mes forcave politike. Deklarata ka ardhur nga kreu i policisë së Qarkut Shkodër, Arjan Bozhaj, në një takim me përfaqësues të medias, ku u pasqyruan puna e bërë deri tani, si dhe detyrat për vazhdimësinë.

“Nga Drejtoria e Policisë e Qarkut janë planifikuar shërbime për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme të të gjitha subjekteve politike, ku deri tani vlen të theksohet se në shkallë Qarku, janë zhvilluar gjithsej 110 takime elektorale, në të cilat nuk është shënuar asnjë incident”, tha kreu i policisë qarkut, Bozhaj.

Ai tha se “për çdo tubim elektoral është hartuar plan masash i veçantë, me detyra konkrete për secilin punonjës policie dhe për mbarëvajtjen e këtyre tubimeve janë angazhuar rreth 220 punonjës policie dhe 42 automjete.”

Sipas tij, në Drejtorinë e Policisë se Qarkut ka përfunduar trajnimi i 416 punonjësve të policisë, te cilet do angazhohen me shërbime në këtë proces zgjedhor.

Bozhaj tha se “janë marrë masa për planifikimin e shërbimeve policore për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, për ruajtjen e objekteve zgjedhore gjate ditës së zgjedhjeve dhe pas përfundimit të votimit”.