Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 08:59

Shkodër – Procesi i numërimit të votave në KZAZ-të e Shkodrës nuk ka filluar ende.

Tre KZAZ-të, 40, 41 dhe 42, që i përkasin Bashkisë Shkodër, zonës së Nënshkodrës dhe zonave malore, të cilat janë të vendosura në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, si dhe në palestrat sportive të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, dhe të shkollës 9 vjeçare “Xheladin Fishta” të qytetit të Shkodrës, vazhdojnë të mos jenë të përfshira në procesin e numërimit të votave.

Në KZAZ-në numër 40 të bashkisë së Shkodrës, ku kandidojnë Lorenc Luka i “Aleancës për Qytetarin” dhe Genc Uruçi i “Aleancës për të Ardhmen”, edhe pse kutitë e votimit u morën në dorëzim rreth orëve të mesnatës dhe gjithçka ishte gati për fillimin e procesit të numërimit, një gjë e tillë nuk është bërë e mundur.

Arsyeja, sipas kryetarit të këtij komisioni, Zamir Llazani, ka qënë dokumentacioni jo i rregullt i komisionerëve të numërimit të votave, pasi ato nuk dispononin diplomat e arsimit të lartë që e përmban rregullorja e e vendosur nga KQZ. Llazani bëri të ditur se procesi i numërimit të votave do të fillojë në orën 11:00 të ditës së sotme.

Ndërkohë, për KZAZ-në numër 41, e vendosur në palestrën e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, kryetari i këtij komisioni Gëzim Muçejani, tha për ATSH-në se baza materiale ka mbërritur e plotë nga qëndrat e votimit që në orët e mesnatës, por ajo që e pengon fillimin e procesit të numërimit, ishte mungesa e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, të cilët nuk kanë paraqitur akoma pjesëtarët e grupit të numërimit të votave. Sipas Muçejanit, tashmë Partia Socialiste i ka dorëzuar emrat e kërkuar për të plotësuar grupet e nevojshme të numërit të votave, dhe procesi pritet të fillojë.

Në KZAZ-në numër 42, që përfshin komunat e zonave malore të rrethit të Shkodrës, arsyeja e vonesës së fillimit të procesit të numërimit të votave, sipas nënkryetarit të këtij komisioni, Prekë Marku, ka qënë mbërritja me vonesë e bazës materiale nga komunat e largëta malore të Shalës dhe të Temalit, por që gjithësesi, me mbërritjen e plotë të tyre, procesi pritet të fillojë shumë shpejt.