Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 10:54

Tiranë – Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi e cilësoi Lulzim Bashën, si kandidatin më të mirë që ka nxjerrë ndonjëherë Partia Demokratike në zgjedhjet lokale për Tiranën.

Duke komentuar garën elektorale në kryeqytet në një intervistë për një të përditshme shqiptare, Shehi thotë se “Basha përfaqëson një fytyrë më të fisshme nga ata që ka kandiduar deri më sot Partia Demokratike”.

“Mendoj që për herë të parë ka njëlloj rivalizimi sepse herët e tjera nuk është bërë garë”, tha Shehi, ndërsa e cilësoi këtë, si garën më të hapur për kryebashkiak në Tiranë gjatë kësaj dekade.

Në të njëjtën kohë, Shehi shprehet se Rama mund të jetë i disfavorizuar në këto zgjedhje, për shkak se kandidon për herë të katërt dhe i ka dhënë një ton politik kësaj fushate për zgjedhjet lokale. “Në zgjedhjet e kaluara e ka pasur të fituar garën zoti Rama, madje edhe me diferencë të madhe. Këtë radhë, mendoj se do të jetë më ndryshe, për një mijë motive. Një arsye është rikandidimi për herë të katërt në krye të Bashkisë i zotit Rama, për ngarkesën politike që ka marrë fushata, dhe kjo mendoj se do të ketë një çmim”, tha Shehi.

Ai theksoi se fushata për zgjedhjet vendore 2011 është një fushatë e mirëfilltë politike dhe nuk është më as fushatë programesh dhe idesh, ndaj ka edhe incidente.