Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 14:29

Elbasan – Në vijim të turit të tij elektoral, kreu aktual i bashkisë se Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili kërkon një mandat të dytë, i zgjedhur nga koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”, ka vijuar takimet në lagjet “Partizani” dhe “5 Majit” të qytetit.

Pasi ka marrë falenderime nga banorët e lagjes ” Partizani” për shtrimin e rrugëve mes blloqeve të kësaj lagjeje periferike të qytetit, si dhe për investimin tjetër të rëndësishëm, atë të projektit të fituar të Bankës Botërore, suvatimit e lyerjen e pallateve, Sejdini deklaroi se “premtimet për infrastrukturë e një kënd pushimi për moshën e tretë tashmë janë realizuar në këtë lagje, ndërsa shtoi se “pikësynimet e mia për katër vitet e ardhshme janë përfundimi i suvatimeve e lyerjeve të të gjitha pallateve të kësaj lagjeje, i shoqëruar edhe me përfundimin e infrastrukturës rrugore”.

Më pas, Sejdini është takuar edhe me banorë të lagjes “5 Maji”, më e madhja e qytetit të Elbasanit, në zonën ku eshte përqëndruar komuniteti Rom. Kandidati Sejdini i ka premtuar këtij komuniteti se “një tjëtër rrugë kryesore do të shtrohet për banorët e kësaj zone”.