Lajme Shqip Sunday, 24 April 2011 08:50

Sarandë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka ftuar qytetarët e Sarandës që të votojnë për kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Stefan Çipa, si e vetmja mundësi për t’i dhënë fund keqqeverisjes në këtë qytet turistik në jug të vendit.

“Dita e 8 majit është zgjedhje midis dy njerëzve dhe dy modeleve krejt të ndryshëm. Saranda është keqqeverisur nga Saliu i vogël, në frymën e Saliut të madh”, tha kryesocialisti në mitingun që zhvilloi të shtunën në mbrëmje, duke iu referuar rivalit demokrat Edmond Gjoka që kërkon një mandat të tretë në krye të bashkisë së Sarandës.

Rama e konsideroi kandidatin Stefan Çipa si përfaqësuesin model të koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, që siç u shpreh ai “është model i ndershmërisë dhe i pasionit të ndryshimit dhe të investimit për të nesërmen e qytetit”.

Duke iu referuar kundërshtarit të tij politik, kryesocialisti Edi Rama tha se “në Sarandë ka për të ardhur edhe Saliu dhe ka për t’u premtuar qytetarëve dhe alpinizëm, megjithëse nuk kini male, edhe automobilizëm e autoçiklizëm dhe se ujin e kripur të detit do ta bëjë të pijshëm, por nuk do t’u thotë se pse ka 1 milion të papunë, pse ka taksa pa fund dhe pse rriten çmimet përditë dhe pse llumin ua shet për naftë”.

Sipas Ramës, sado që Kryeministri Berisha thotë se qytetarët janë të parët, politika e tij është e tillë që e vë popullin përpara.

Gjatë mitingut elektoral në Sarandë, Rama u bëri apel qytetarëve që në 8 maj të shkojnë masivisht në kutitë e votimit, “si në një demonstratë të madhe popullore”.