Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 14:47

Sarandë – Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet çeli fushatën elektorale në komunën Markat të Sarandës, ku kryetari i kësaj force politike, Shpëtim Idrizi, prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”për kreun e kësaj komune, Ismail Murtaj, përfaqësues i PDIU-së.

Gjatë fjalës së tij, Idrizi e cilësoi këtë vend si një frymëzim për zgjidhjen e çështjes çame dhe si një motiv për përkushtimin e mëtejshëm të PDIU-së për mbrojtjen e çështjes kombëtare.

Duke shprehur pritshmëritë më pozitive në rezultatin zgjedhor të komunës së Markatit, Idrizi ftoi qytetarët e saj të votojnë kandidatin Ismail Murtaj, duke garantuar të gjithë përkushtimin e PDIU-së për më shumë mundësi zhvillimi në këtë zonë.

Ndërsa kandidati i PDIU-së dhe njëherësh, kreu aktual i Komunës së Markatit, Ismail Murtaj, u zotua se do të vazhdojë implementimin e projekteve të nisura, por gjithashtu se brenda mandatit të dytë do të jetësojë të gjitha projektet për ndërtimin e qendrave të fshatrave të Komunës Markat.

Gjithashtu, Murtaj premtoi se shumë shpejt do të bëhet realitet ndërtimi i pikës doganore në Barabar, e cila do të shkurtojë distancën gjeografike për të shkuar në Çamëri.